Politike
Atentati ndaj kreut të PD-së/ Salianji: Akt terrorist
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ishte i pranishëm ditën e sotme në banesën e kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca, një ditë pas atentatit ndaj tij mëngjesin e së martës, ku i shpëtoi mrekullisht një shpërthimi të fuqishëm në makinë. Salianji e cilësoi ngjarjen një akt të mirëfilltë terrorist dhe premtoi ngritjen e çështjes në Komisionin parlamentar të Sigurisë.
“Ne jemi këtu për t’i shprehur mbështetjen kryetarit të opozitës për zonën. Ndikon në klimën e sigurisë publike në gjithë vendin. Është një akt terrorist. Ngjarja bëhet dyfish e rëndë duke marrë parasysh mosreagimin e qeverisë dhe nëse ngjarja nuk zbardhet. Çdo raport që kemi me institucionet ndërkombëtare, ne do ta kthejmë në fokus në Komisionin e Sigurisë, që akte si ky jo vetëm të mos ndodhin, por të marrin përgjigjen e merituar nga organet e drejtësisë. Nuk mund të mbahet dot Shqipëria duke i vendosur tritol kundërshtarit politik, duke tentuar të eleminohet kundërshtari politik, duke vendosur gjoba dhe kërcënime qytetarëve. Duke tentuar të vendosen tritole kundërshtarëve mediatikë. Çdo punonjës i ndershëm i policisë, i bëj thirrje të mos përfshihet në fushatën elektorale, të mos kërcënojnë kundërshtarët politikë.
Në këto kushte dua ta mbyll jo vetëm me thirrjen për ndëshkimin e autorëve, por edhe me thirrjen për qytetarët që të ndëshkojnë këtë qeveri. Cilido që ka parë shpërthimin me eksploziv, sekondat ndanin fatalitetin nga ky shpërthim. I bëj thirrje qytetarëve që të votojnë në 14 maj për të bërë të mundur ndryshimin”, u shpreh Salianji.