Politike
Atentati ndaj Ndrecës/ Bardhi: Akt kriminal
Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar për atentatin që iu bë sot kreut të PD-së në Vaun e Dejës Bernard Ndreca. Me anë të një postimi në Twitter, Bardhi shkruan se akti kriminal që iu bë Ndrecës ka goditur zgjedhjet lokale të 14 majit. Po ashtu ai, iu bëri thirrje autoriteteve që të zbardhnin ngjarjen.
“Zgjedhjet lokale sot kanë marrë një goditje të rëndë. Akti i sotëm kriminal në Vaun e Dejës ndaj Bernard Ndrecës është i papranueshëm dhe thellësisht i dënueshëm. Duke u solidarizuar plotësisht me të dhe familjen e tij, apelojmë që autoritetet ligjzbatuese të zbardhin menjeherë rastin dhe të vendosin përpara përgjegjësisë autorët. Zgjedhjet duhet të jenë shkëmbim idesh e alternativash, dhe kurrësesi intimidim me metoda kriminale”, shkruan Bardhi.
Çfarë ndodhi sot?
Makinës së kryetarit të PD-së në Bashkinë e Vaut të Dejës, Benard Ndrecës i është vendosur tritol. Shpërthimi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, në momentin që Ndreca ka hipur në makinë. Nga shpërthimi, Ndreca dhe nëna e tij e cila ishte në oborr, nuk kanë pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale. Ndreca është shprehur se atentati ndaj tij me tritol është një sulm politik, duke shtuar se nuk ka konflikte me asnjë njeri duke pretenduar se ngjarja lidhet me detyrën e tij si kreu i PD-së në Vaun e Dejës. Kamerat e sigurisë fiksuan dy persona, të cilët gjatë natës montuan sasinë e tritolit në mjetin ‘Audi’. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama.