Aktualitet
Atentati në ‘Don Bosko’, policia: Kemi informacion për personat e përfshirë
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj tregoi sot se ka informacione për persona konkretë të përfshirë në atentatin në “Don Bosko”, 10 ditë më parë, ku si pasojë e të shtënave me armë drejt lokalit në pronësi të Fatjon Muratit, mbeti e vdekur banakierja 58 vjeçare Mimoza Paja dhe u plagosën 5 persona të tjerë.
“Është një hetim që do të marrë kohen e nevojshme. Ka informacione për persona konkrete të përfshirë në këtë ngjarje. Por nuk mund të japim detaje në këto momente, por nëse do të kemi informacion do ua përcjellim”- tha Vocaj në konferencën për shtyp.
Si ndodhi atentati në zonën e “Don Boskos”?
Rreth orës 21.00 të së dielës së 12 marsit, persona ende të paidentifikuar u pozicionuan para lokalit të familjes Murati në rrugën “Anastas Shundi” dhe hapën zjarr drejt tavolinës ku ishte ulur vëllai i Fation Muratit, xhaxhai dhe kushëriri i tij duke qëlluar me së paku 15 plumba kallashnikovi. Këto të shtëna rezultuan fatale për 58-vjeçaren Mimoza Paja e cila punonte si banakiere në këtë lokal për të mbajtur familjen. Ndërsa të plagosur mbeten xhaxhai i Fatjon Muratit si dhe klientë që u gjendën rastësisht në vendin e ngjarjes. Ndërsa i vëllai dhe kushëriri nuk pësuan lëndime. Pas ngjarjes në afërsi të fshatit Bubq autorët braktisën makinën tip “BMW”, së bashku me armët e krimit në të dhe i vunë flakën. Makina rezulton e vjedhur para dy vitesh në Durrës. Këtë sulm brutal në kufijtë e një sulmi terrorist policia e lidh me të shkuarën e pronarit të lokalit, i cili në momentin e ngjarjes duhet të ishte në arrest shtëpie por që rezulton se e ka thyer. Ai u kap nga policia e Tiranës në tetor të vitit të kaluar në shoqëri të Indrit Dokles duke lëvizur me makinë të blinduar.
Më pas ai u vu në pranga pasi rezultonte i implikuar në rastet e dy bazave të armatimit që u zbuluan në Tiranë dhe më herët për to ishte arrestuar Kristian Gjini. Shoqërimin e Muratit, policia e kishte kërkuar edhe pas atentatit në mbikalimin e Fushë Krujës më 17 korrik ku humbi jetën Brilant Martini, Dikler Vata e Besmir Hoxha, pasi sipas policisë ai ishte person që mund te kishte dijeni për ngjarjen. Edhe jashtë vendit, Fatjon Murati ka precedent ku rezulton i arrestuar për vjedhje dhe narkotikë. Pak muaj më parë prokuroria e Tiranës i vuri në sekuestro preventive rreth 5 milion euro pasuri të cilat dyshohet se janë vendosur nga aktiviteti kriminal.
Ndër pasuritë nën sekuestro ishte dhe bari ku ndodhi ngjarja. Ndërkohë, një pistë e dytë hetimore është aktiviteti i vëllait të tij, i cili rezulton të jetë kthyer vetëm pak ditë më parë nga jashtë vendit. Ai u morr në pyetje nga policia por nuk iu dha atyre të dhëna të vlefshme që çojnë tek autorët. Por pavarësisht se familja Murati shprehet se nuk ka hasmëri, fakti që rruga e tyre ishte blinduar me kamera sigurie, tregon të kundërtën. Ato u hoqën pak ditë më parë nga operacioni fijet ç’ka me gjasë u shfrytëzua nga atentatorët të sulmojnë në befasi.