Connect with us

Bota

Atentati në Francë/ Kundërshtari i Putinit: Spiunët e Putinit tentuan të më vrisnin

Aktivisti rus i të drejtave të njeriut, Vladimir Osechkin, në mërgim në Francë, tha sot në një intervistë me Associated Press se, pasi pa provat video të ofruara nga policia franceze, përfshirë pamjet nga shtëpia e tij, ai beson se shërbimet ruse të sigurisë ishin pas komplotit për ta vrarë atë, i cili u zbulua në Francë, ku policia arrestoi katër të dyshuar. “Pashë se si të gjithë po filmonin, si po përgatitnin vendet e të shtënave”, i tha ai AP-së, duke shtuar se beson se “ishte një operacion special i kushtueshëm, i autorizuar dhe i financuar nga Moska”. Osechkin themeloi Gulagu.net, një grup që mbron të drejtat e të burgosurve në sistemin famëkeq të burgjeve të Rusisë. Zyra e Prokurorit Kundër Terrorizmit raportoi arrestimin e katër personave të dyshuar për planifikimin e një sulmi kundër Osechkin, duke shtuar se hetimi po kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Brendshme, shërbimi francez i kundërzbulimit dhe kundërterrorizmit (DSGI). Katër burrat, të moshës midis 26 dhe 38 vjeç, u arrestuan të hënën. Nuk u dhanë detaje në lidhje me kombësitë e tyre, motivet e mundshme për shënjestrimin e Osechkin, apo ndonjë lidhje të dyshuar me shërbimet e inteligjencës së huaj. Osechkin tha se beson që disa nga burrat e arrestuar janë nga Dagestani, një rajon në Kaukazin Jugor të Rusisë.

Advertisement