Connect with us

Shkrime

Ato që Rama i premton për 16 vjet, Berisha do ti realizojë në vetëm 100 ditë

Nga Alfred Lela
Marshall McLuhan, një nga mendjet më brilante të komunikimit, ka një shprehje që është pranuar si aksiomatike: mediumi është mesazhi. E thjeshtuar do të thotë se, mesazhi nuk është vetëm çka thuhet, por edhe ai/ajo që e thotë. Në këtë kuptim kur Berisha dhe Rama, dy rivalët e mëdhenj të kësaj fushate elektorale, thonë diçka, nuk është vetëm çka thonë por edhe cili. Pra cilësitë, kreditet, historitë e kandidatit.

Të dy ata, në më shumë se një kuptim, janë në luftë me kohën dhe e kanë atë kundër. Berisha për shkak të moshës biologjike, dhe Rama për shkak të moshës së pushtetit. I pari është 80 vjeç, ndërsa i dyti është në pushtet të pandërprerë ekzekutiv që nga 1998, pra prej 27 vitesh, 12 prej tyre si kryeministër, që nga 2013.

Është pikërisht te kjo ‘betejë’, apo te raporti i dy kandidatëve me të vetmen përballje që nuk fitohet- me kohën- që mund të na ndihmojë të kuptojmë se cili është kandidati i duhur për punën e kryeministrit. Në gjuhën e Sali Berishës koha është diçka e çmuar, që nuk mund të abuzohet (vdirret) dhe as mund të merret apo ofrohet falas. Në premtimet e tij, jo vetëm në intensitetin e javëve të fundit, por që prej dhjetorit të vitit të shkuar, ai artikulon ‘100 ditëshin’ si njësi matëse të kohës politike. Kërkon 100 ditë për Paketën e Dhembshurisë, po kaq për luftën kundër krimit dhe korruspionit (‘pastrimin e shtëpisë’, duke huazuar nga fjalori i Trump), e me radhë. Sali Berisha është pra një kandidat finit, që operon brenda kufijve të së kapshmes apo të së mundshmes.

Edi Rama është e kundërta. Ai operon brenda ‘kompleksit të Zotit’, që e ka kohën të vetën, infinite, dhe brenda saj ofron të pafundmen. Për shembull, ai artikulon “Shqipëria 2030”, një stacion që është 1 vit përtej mandatit që kërkon, si për të thënë se ai ka në dorë jo vetëm këtë, por edhe vijuesin. Nëse nuk e bën këtë mandat (2025-2029) e bën në pasuesin. Çka nuk thotë është se, nëse koha e tij në pushtet mund të konceptohet si e pafundme, e atyre që janë pa pushtet, dmth popullit, ka skadencë. Fermeri, i riu, pronari i një dyqani, pensionistja etj., nuk e kanë luksin e kohës pas fund. Atyre u nevojitet diçka sa më shpejt. Trokashka e halleve të së përditshmes troket çdo orë e ditë. Ata nuk e kanë dikë që u sjell një verë të shtrenjtë, që u bën një vilë të mirë, që u dhuron një seancë detoksi. Hallet e tyre, të vogla a të mëdha, mund t’i zgjidhin vetëm vetë. Nëse kanë një qeveri që, në mos i ndihmon të paktën nuk i mundon, mirë.

Kështu, këto zgjedhje kanë vënë përballë 2 burra të cilët mund ose jo të bëjnë diçka me kohën. Me kohën e tyre në pushtet dhe sidomos me kohën e atyre që votojnë. Sali Berisha kërkon të jetë në pushtet për 100 ditë, dhe brenda këtij vetëkufizimi e mat apo e sfidon veten. Edi Rama, me 12 vite në pushtet, kërkon një mandat tjetër të pakufizuar. Për tani i ka vënë targën “2030”, por mund ta riformulojë si të dojë. Për të koha nuk ka lëndë as rëndësi.

Për ju mendoj se po. Duhet të ketë.

E di që mund t’iu duket si ushtrim filozofik e gjithë kjo, por në fakt bazohet në një logjikë kaq të thjeshtë dhe sublime në të njëjtën kohë. Ka të bëjë me një lëndë infinite si koha, por po ashtu e shterrshme për të gjallët. Për të gjithë pa përjashtim.

Sali Berisha dhe Edi Rama po ju kërkojnë kohë borxh. Ju kujt do t’ia jepnit: atij që u kërkon 100 ditë apo atij që u kërkon 16 + vite!?

Advertisement