Bota
Australia nuk regjistron asnjë rast të ri me COVID-19
Pas pothuajse pesë muajsh, Australia nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Shteti i Viktorias – epiqendra e valës së dytë me koronavirus në Australi – ndërkaq, për të dytën ditë me radhë nuk regjistroi asnjë rast të ri. Ky shtet, ka qenë në izolim për 112 ditë.
Autoritetet shëndetësore thanë se masat kufizuese, të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit, do të lehtësohen në ditët e ardhshme.
“Faleminderit të gjithë punëtorëve të mrekullueshëm shëndetësorë dhe publikë, por mbi të gjitha popullit australian”, tha në një postim në Twitter, ministri i Shëndetësisë, Greg Hunt.
Australia ka regjistruar 27,500 raste me koronavirus dhe 900 të vdekur, që prej fillimit të pandemisë.
Ky shtet, që ka 25 milionë banorë, ka aplikuar masa të izolimit dhe testime për koronavirus, me qëllim që ta mbajë nën kontroll virusin. Shteti i Viktorias – ku kanë ndodhur 90 për qind të vdekjeve nga COVID-19 – ka pasur në fuqi ndër masat më të rrepta të izolimit në botë.
Melburni – qyteti më i madh në Viktoria – ka nisur që të dalë nga izolimi më herët gjatë kësaj jave, pas përmirësimit të gjendjes epidemiologjike.