REAGIM
AVOKATI I POPULLIT DËNON GJUHËN SEKSISTE NË MEDIA
Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësim lidhur me respektimin e etikës gjatë një debati televiziv të transmetuar në një emision me shikueshmëri të lartë në një Televizion Kombëtar.
Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se është i patolerueshëm përdorimi i gjuhës seksiste dhe fyese kundër të ftuarve që janë gra, duke i intimiduar dhe përdorur etiketime që theksojnë stereotipet gjinore në shoqëri.
Gjuha seksiste është shprehje e maskulinitetit dhe një shprehje e dhunës me bazë gjinore. Ajo është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe përjetohet nga gratë e vajzat vetëm për arsyen se janë të gjinisë femërore.
Gratë që sfidojnë ose devijojnë nga ajo që vlerësohet si vendi i tyre “i duhur” në shoqëri, mund të përballen me seksizëm dhe misogjeni dhe kjo është ajo çka u vu re gjatë debatit televiziv.
Institucioni i Avokatit të Popullit e quan të papranueshme sidomos përdorimin e gjuhës seksiste dhe të urrejtjes pikërisht gjatë ditëve kur shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara janë duke zhvilluar Fushatën e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, anembanë botës.
Avokati I Popullit ka bindjen se barazia gjinore është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, funksionimin e demokracisë dhe qeverisjen e mirë, respektimin e sundimit të ligjit dhe promovimin e mirëqenies për të gjithë, që ngërthen në vete të drejta të barabarta për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, si dhe të njëjtin vizibilitet, fuqizim, përgjegjësi dhe pjesëmarrje në të gjitha sferat e jetës publike dhe private.
Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje të merren masa për ta parandaluar dhe luftuar seksizmin dhe manifestimet e tij në sferat publike dhe private, të luftohet gjuha e urrejtjes për shkak të gjinisë apo për çfarëdo shkaku tjetër, si dhe të sigurohet mbrojtja e respektimi i të drejtave të grave e vajzave në shoqërinë tonë.