Pas një ngjarjeje të rëndë familjare që ka tronditur qytetin e Fierit, një baba i arrestuar për abuzim ndaj vajzës së mitur ka lënë pas një familje në gjendje të rënduar sociale dhe ekonomike.
Gjyshi i 7 fëmijëve, mes tyre një fëmijë i vetëm 1-vjeçar ka treguar se pas arrestimit të babait, fëmijët kanë mbetur pa kujdes prindëror dhe vajza e mitur që ka qenë viktimë e abuzimit është marrë në mbrojtje nga shteti. Ai tha se nëna e fëmijëve, vajza e tij, ndodhet në pamundësi për të punuar për shkak të moshës së vogël të fëmijëve dhe mungesës së një mbështetjeje të strukturuar.
“Këta 7 fëmijë tani quhen jetimë. Vajzën që ai e ka abuzuar e ka marrë shteti tani. Vajza ime nuk ka asnjë të ardhur. Ne kërkojmë nga shteti, sepse këta fëmijë kanë nevojë për një zgjidhje afatgjatë, për një shtëpi pranë qendrës spitalore dhe kopshtin. Bashkia ka ofruar një punësim për vajzën time, por nuk mund të punojë sepse ka fëmijë të vegjël.
Ne po të dinim se çfarë do ndodhte, do vepronim ndryshe si familje. Jemi shokuar dhe shumë të prekur nga kjo që ka ndodhur. Nuk kemi pasur asnjë kontakt me mbesën, por dimë që është në duar të sigurta, në duart e shtetit dhe do kontaktojmë me të më pas,” u shpreh gjyshi i vajzës.
Ai shton se ndihma e deritanishme prej 200 mijë lekësh të reja dhe mbulimi i qerasë për një banesë që ende nuk është siguruar, nuk janë të mjaftueshme për të përballuar nevojat minimale të jetesës.