Aktualitet
Babai abuzoi seksualisht me të bijën në Kurbin? Fqinjët dëgjuan të bërtiturat
53-vjeçari nga Kurbini ka dalë sot në Gjykatën e Lezhës pasi akuzohet se ka dhunur dhe abuzuar seksualisht vajzën e tij të mitur, vetëm 13 vjeç. Rasti është denoncuar në komisariatin e Kurbinit nga fqinjët e tyre, pasi kishin kohë që dëgjonin të bërtiturat e të miturës. Por po ashtu, grupi hetimor ka edhe një video, të filmuar nga vetë vajza, ku dëgjohen të bërtiturat dhe fjalori i përdorur nga ana e të atit.
Gjatë marrjes në pyetje, 53-vjeçari e ka mohuar akuzën se ka abuzuar me të bijën, ndërkohë që edhe e mitura ka folur për mediat. Në një intervistë të dhënë në kushtet e anonimatit, ajo pranon se i ati e ka dhunuar, por jo se e ka abuzuar seksualisht. Ajo shprehet se denoncimi mund të jetë bërë nga njerëz që kanë inat familjen e saj, pasi ka një marrëdhënie shumë të ngushtë më të atin.
“Babi ka pasur shumë dhimbje koke, stres. E ka bërë pa vetëdije besoj. Unë jam dakord që të më bërtiste, por jo të më rrihte. Babin e dua shumë dhe së shpejti pres të vijë në shtëpi. Për tre ditë që më keni lënë rrugëve, unë normal do tregoj të vërtetën, nuk kam si e mbroj babin kur është diçka e gabuar, e mbroj pasi nuk është e drejtë që të shpik këto gjëra. Denoncimin mund ta kane bërë komshinjtë, ata që na kanë inat. Mund ta kenë shkurtuar videon. Unë me babin jemi si vëllezër, si shokë. Unë jam shumë kokëfortë dhe nuk dëgjoj, ndaj… jam e lëvizshme,”- tha 13-vjeçarja.
Por pavarësisht pretendimeve të saj, e reja do t’i nënshtrohet analizave të ekspertëve ligjorë për të dalë në përfundimin nëse e reja është abuzuar apo jo nga i ati. Nga kqyrja paraprake, burime pranë Policisë së Kurbinit bëjnë me dije se e mitura ka shenja dhune në disa pjesë të trupit.