Sport
Babai i tij legjendë e Italisë, i biri i Buffon “tradhton” axurët për kombëtaren e Çekisë

Babai i tij është një legjendë e gjallë e Italisë dhe futbollit botëror, por djali i portierit Gianluigi Buffon duket se nuk do të veshë kurrë fanellën e axurëve.
Mbiemrin Buffon do të vazhdojmë ta shohim në fushën e blertë edhe në vitet në vijim, por në rang kombëtaresh, Louis Thomas Buffon do të përfaqësojë Çekinë, andej prej nga vjen nëna e tij.
Edhe pse vetëm 17 vjeç, ende i ri në rrugëtimin e tij drejt futbollit profesionist, Louis është ftuar nga Kombëtarja e Çekisë për t’i përfaqësuar ngjyrat e tyre.
Louis Buffon ka nënshtetësi çeke sepse nëna e tij është çeke. Pra ish-bashkëshortja e Gigi-t, Alena Seredova është çeke.
Portieri legjendar aktualisht është i martuar me Ilaria D’Amico, një prezantuese televizive italiane, por me Alenën kanë dy djem nga martesa e tyre.
Louis në nivel klubi luan për Pisa-n dhe është aktivizuar rregullisht me ekipin e të rinjve, në një kompeticion ku garojnë mosha dy vjet më të mëdha se e tija.
Këtë sezon, Louis Buffon ka bërë 18 paraqitje për Pisa Primavera, duke shënuar katër gola.
Mediat çeke raportojnë se Louis e ka pranuar ftesën e kombëtares së tyre dhe do të paraqitet në grumbullimin për turneun e marsit në Portugali, ku çekët do të përballen me Anglinë, Francën dhe skuadrën pritëse.

