Connect with us

Politike

Balla mesazh diasporës: Jemi e vetmja forcë politike me vizion të qartë

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, tha se qytetarët shqiptarë më 11 maj do të votojnë numrin pesë në fletën e votimit, pra Partinë Socialiste. Duke iu përgjigjur me fakte deklaratave të deputetes së Partisë së Lirisë, Xhixho, Balla tha se Partia Socialiste është e vetmja që ka vizionin për të bërë realitet hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Balla tha se qeveria socialiste do të zgjerojë programin “Mësues për Diasporën”, duke e shtrirë kudo ku ka shqiptarë dhe duke ofruar edhe një aplikacion në celular për mësimin e gjuhës amtare.

“Këto janë fakte dhe fola me shifra. Ato që folët ju s’kanë lidhje me realitetin. Prandaj më 11 maj qytetarët shqiptarë e dinë fare mirë se është një mandat historik, i cili vjen në kontekst gjeostrategjik që lidhet me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ne jemi e vetmja forcë politike me vizion të qartë për ta përfunduar këtë aspiratë historike; ndaj qytetarët në shumicë do të votojnë numrin 5 PS, në zgjedhjet e 11 majit.

Mësues për Diasporën, mund ta thoni një fjalë të mirë, sepse i shërben bashkatdhetarëve tanë kudo ndodhen. Kemi nisur me Greqinë, ku mësuesit e parë janë përzgjedhur, kanë marrë licencën dhe do të shërbejnë në dobi të mësimdhënies së gjuhës shqipe për fëmijët në qytetet kryesore të Greqisë. Synojmë ta shtrijmë edhe në Itali si hap i dytë. Për ta shtrirë këtë program të rëndësishëm kudo ku bashkatdhetarët tanë jetojnë, do të kemi dhe një aplikacion në telefonat celularë për mësimin e gjuhës shqipe.

Kur Edi Rama dhe PS morën besimin e qytetarëve shqiptarë për të qeverisur, paga mesatare e mësuesit ishte dy herë më e vogël: 420 euro në 2013, 950 euro në 2024. Zotimi ynë për mësuesit është që brenda këtij mandati të ri, më 11 maj, ta çojmë në 1250 euro pagën e mësuesve. Kur ne morëm detyrën, ishte zero mundësia për tekste falas; prindërit ishin të detyruar t’i blinin. Sot janë 238 mijë nxënës që marrin falas librat. Nga fillimi detyrës janë ndërtuar 450 shkolla nga të cilat kanë përfituar 200 mijë nxënës. Deri në fund të mandatit të ardhshëm do të ndërtojmë edhe 200 shkolla të reja”, tha Balla.

Advertisement