Connect with us

Shkrime

Banaliteti dhe frika prej televizionit

Nga Ben Andoni

Media nuk ngopej pak ditë më parë duke shfaqur në ekrane goditjen e ish-kryeministrit Berisha dhe më pas edhe rrahjen barbare të agresorit të tij. Sikur të mos ekzistonte fare samiti i  Dhjetorit dhe impakti, vëmendja u shpërngul në një episod dhune, që transmetohej pandalur për ditë me radhë në mediat tona. Autoritetet rregulluese të medias nuk mundën ta ndalnin median që u vu në garë për të shpjeguar deri në imtësi patologjitë e agresorit dhe deri kalkulimet për forcën e goditjes mbi fytyrën e Berishës… ! Pak apelet publike ranë në vesh të shurdhër, pasi shoqëria jonë duket se nuk ngopet me dhunën, ofendimin dhe banalitetin.

E kujt është përgjegjësia për të marrë përsipër negativitetin që përcjell televizioni?! Cili është nominalisht përgjegjës për shembull për programet me përmbajtjen fyese, seksuale, diskursin shpesh në mënyrë vulgare dhe, si pasojë, dëmtimin e shëndetit moral të publikut e sidomos atë të shikuesve të rinj? Askush!

Ajo që mund ta vërejmë lehtësisht në vitet e fundit me shtimin e televizioneve është se fjala kryesore që ndikon drejt programacionit por edhe politikave të  televizionit është ajo që vjen nga njerëzit e marketingut dhe një situatë e tillë po krijon një marrëdhënie aspak normale e jo besnike mes shikuesit dhe televizionit.

Këtu duket se ndërhyn mirëfilli manipulimi i imazhit dhe impakti i tij. Ndaj, menaxherët sot janë më të paguarit, ata ngrenë shpesh në formë informale edhe tregun e çmimeve të gazetarëve e moderatorëve.

Një shfaqje televizive e promovuar intensivisht, që ka një përfitim të madh imazhi brenda impaktit te hapësira publike, do të marrë gjithmonë një pjesë të madhe të audiencës. Dhe ky sot është edhe rasti i Shqipërisë. Ky konsiderohet madje edhe si modernitet dhe bashkëkohësi!!!

Të dëgjosh fjalorin që përdoret në ‘reality show’, qytetari shqiptar e kupton gjendjen e mjerë të hapësirës ku operon sot pushteti i televizionit. Ajo që mbetet kryesore dhe përfundimtare sot është sa: ndiqet dhe sa klikohet një program apo artikull në internet.

Programet apo formatet e “reality show” me përfshirjen e publikut, me pjesëmarrjen e njerëzve të thjeshtë, duket se po krijojnë një lloj të ri kënaqësie e zbavitje televizive.

Argëtimi i zakonshëm, pa vlera dhe jo pak herë banal, që vjen prej tij, ndikon hapur në të gjithë klimën kulturore në të cilën jetojmë dhe ku po i jepet status i lartë banalitetit të kotësisë e cila bashkë me dezinformimin,

ia ka hequr televizionit rolin edukativ, duke e edukuar dhunën dhe banalitetin. Kjo është arsyeja pse televizioni aq sa na bën disa herë të humbim kohë me zbavitjen, aq më tepër na manipulon gjatë  prodhimeve kinse argëtuese të ‘reality show’, që shpesh japin live dhunë apo vetë lajmet që e kërkojnë dhunën dhe gjakun kudo, qoftë edhe te fëmijët e gratë e pambrojtura. Kjo e bëri të dukej dhuna e ditës së 6 Dhjetorit aq e zakonshme.

 

Advertisement