Connect with us

Kosova

Banjska është shumë më e madhe nga sa mendoni/ Politikologu serb shfleton dosjen

“James O’Brien, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit i kujtoi edhe një herë Beogradit se pret ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për konfliktin e armatosur në Banjskë.

Ndonëse ngjarja e 24 shtatorit në veri të Kosovës pushoi së qeni fokusi kryesor i komunitetit ndërkombëtar në Ballkan, partnerët perëndimorë nuk e mbyllën këtë çështje.

Ata presin përgjegjësi, vënien para drejtësisë të organizatorit të konfliktit, Milan Radoiçiç dhe mbylljen e çështjes Banjskë. Beogradi hesht me kokëfortësi, kurse rasti i ish-nënkryetarit të Listës Serbe mbahet në sirtar në prokurori, ndërsa Perëndimi pret përgjigje” – Kështu ka shkruar media serbe ‘Nova.rs’, duke theksuar: –

“Përgjigje përpos Perëndimit pret edhe i gjithë opinioni serb. Tashmë më 24 shtator, kur ndodhi konflikti në Banjskë në të cilin u vra një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë, morëm një aluzion nga autoritetet se nuk do të mësojmë shumë për aksionin e organizuar në veri të Kosovës”

Pas videove nga porta e manastirit, ku shihej Milan Radoiçiç, me kapele, pushkë në dorë dhe uniformë ushtarake, presioni i ndërkombëtarëve ndikoi që të paktën zyrtarisht të zbulohet se kush qëndron pas Banjskës. Përgjegjësinë e ka marrë nënkryetar i Listës Serbe dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksandër Vuçiçit.

Shumë shpejt nisi hetimi, ndërsa në fillim të muajit tetor u ndalua një ish-funksionar i lartë dhe biznesmen kontrovers. Asgjë nuk ka ndodhur që atëherë. Radoiçic u lirua shpejt nga paraburgimi dhe akuzat për veprimet e tij në veri të Kosovës po qëndrojnë në sirtar. Po ashtu, qytetarët serb nuk kanë as të dhëna se kush e ka ndihmuar logjistikisht Radoiçiçin. Konkretisht, dikush duhej ta kishte parë  arsenalin e municioneve dhe pajisjeve ushtarake që u dërguan në veri të Kosovës.

“Disa muaj pas konfliktit, çështja e Banjskës nuk është më në fokusin e komunitetit ndërkombëtar, por deklarata si ajo e O’Brien tregojnë se Perëndimi pret përgjigje. Shfaqjet e diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë kujtojnë vazhdimisht se Banjska do të “kthehet”, dhe se skeletet nga dollapi që ekzistojnë që nga 24 shtatori 2023 do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj qeverisë në Beograd, si dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç” – shkruan Nova.rs.

Duke folur për çëshjten, politologu serb Ognjen Gogiç nënvizon se informacioni i disponueshëm për publikun për konfliktin e armatosur është vetëm maja e “ajsbergut” dhe se shumë çështje mbetën të pazgjidhura pas 24 shtatorit.

Kur është fjala për hetimin kundër Milan Radoiçiqit, Gogiç vëren se SHBA-ja dhe BE-ja presin ndjekjen penale të ish-nënkryetarit të Listës Serbe, por Beogradi nuk po bën shumë për ta realizuar.

“Sfondi i Banjskës është shumë më i madh nga sa mendoni” – tha Gogiç për median serbe ‘Nova’. Ai pohoi se nuk do të ketë sanksione ndaj Beogradit sepse ka kaluar shumë kohë nga incidenti, por dhe se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare duan të shohin se ndaj Radoiçiçit do të zhvillohen procedura.

“SHBA dhe BE nuk e fajësojnë drejtpërdrejt Serbinë për Banjskën, por presin që ajo të ndërmarrë hapa të caktuar drejt ndjekjes penale të Radoiçiçit. Beogradi këtu është ambivalent, “nxehtë dhe ftohtë”. Duket se mungesa e ekstradimit ndaj Radoiçiçit është marrë për të mbrojtur veten.  Në thelb, Serbia nuk do të ndërmarrë hapa për të përcaktuar përgjegjësinë e tij” – theksoi politologu serb.

Advertisement