Connect with us

Aktualitet

Banka e Shqipërisë: Nuk ka euro droge në tregun shqiptar

Banka e Shqipërisë ka siguruar Kuvendin se në tregun shqipar nuk ka sinjale të parave me origjinë jashtë kanaleve zyrtare. Në raportin vjetor dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë, BSH thotë se vëllimi i valutës të këmbyer në tregun e brendshëm përputhet plotësisht, e madje është më e ulët se sa vëllimi i shkëmbimeve tregtare.

“Ecuria e vëllimeve të tregtimit në tregun tonë valutor duket se është udhëhequr tërësisht nga ecuria e vëllimeve të shkëmbimeve tregtare më jashtë duke qenë madje më e ulët se to dhe duke mos shfaqur evidenca të pranisë së shtuar të flukseve valutore me origjinë tjetër,” thuhet në raportin e BSH.

Për të dalë në këtë përfundim BSH ka krahasuar vëllimin e shkëmbimeve tregtare të vendit me sasinë e valutës që është konvertuar në treg për disa vite me radhë. Sipas Bankës, të dhënat tregojnë se rritja e valutës së konvertuar në treg përputhet plotësisht me rritjen e shkëmbimeve tregtare duke mos shfaqur asnjë devijim nga vitet e mëparshëm.

Të dhënat e paraqitura në raport tregojnë se sasia e valutës që është shkëmbyer në tregun shqiptar thuajse është trefishuar në 7 vitet e fundit duke arritur rekordin historik me rreth 5.5 miliardë euro në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Por sipas Bankës së Shqipërisë, për të njëjtën periudhë kohore janë rritur në të njëjtat përmasa edhe shkëmbimet tregtare të vendit me botën e jashtme. Ecuria e këtyre dy treguesve në linjë me njëra tjetrën sipas BSH është një sinjal se në treg nuk ka valutë me origjinë tjetër, përveccse asaj që vjen nga burimet zyrtare.

Por pse u forcua leku?

Banka e Shqipërisë thotë se forcimi i lekut ka ardhur si rezultat i përmirësimit strukturor të sektorit të jashtëm të ekonomisë, më saktësisht rritjes së eksporteve të mallrave dhe veccanërisht shërbimeve.
” Balanca e llogarisë korrente shënoi një përmirësim prej 1 miliardë eurosh gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Ky përmirësim bëri që – për herë të parë në historinë ekonomike të pas viteve ’90-të – llogaria korrente të shënojë suficit, të vlerësuar në nivelin 6.4% të PBB-së në tremujorin e tretë të vitit. Për tre tremujorët e parë të vitit, suficiti rezultoi 0.2% të PBB-së, nga një deficit prej 5.9% të PBB-së në vitin 2022,” thotë BSH.

Sipas saj, shtimi i flukseve valutore ka krijuar një spirale pozitive për forcimin e monedhës kombëtare duke prekur dhe faktorin psikologjik. “Krahas këtij faktori, ecuria mbiçmuese e monedhës vendase ka reflektuar edhe rritjen e besimit ndaj monedhës sonë kombëtare në tregun valutor, si rrjedhojë e rritjes së besimit të agjentëve të tregut në qëndrueshmërinë e saj dhe e përmirësimit të ndjesisë së investitorëve të huaj për perspektivën e ekonomisë shqiptare,” vijon raporti i dërguar në Parlament.

Sipas BSH, të gjitha këto zhvillime rezultuan në tepricë oferte të valutës në ekonomi, e cila, në kushtet e një regjimi të lirë të kursit të këmbimit, diktoi mbiçmimin e monedhës vendase.

/Kapitali.al

Advertisement