Aktualitet
Banorëve në Gramsh u digjet banesa: Zjarrfikësit na fiknin telefonin, desh u dogjëm

Zjarri në Gramsh ka lënë pas pasoja të shumta duke djegur disa banesa. Banorët të cilët u rrezikuan nga flakët tani përballen me realitetin e vështirë ku puna e gjithë jetës së tyre u dogj para syve duke i lënë në qiell të hapur.
Ata fajësojnë autoritetet pasi sipas tyre zjarri mund të ishte vënë nën kontroll por vetëm një zjarrikës shkoi në vendngjarje në mëngjes dhe më pas gjatë ditës situata doli nga kontrolli. Banorët shprehen se qëndruan deri në fund po zjarri ishte i madh dhe se për pak sa nuk u dogjën. Ata shprehen se nuk deshën të largoheshin por policia i mori me forcë.
“Shkrumb me banesë, me lopë, të gjitha. Na dogji zjarri të këmbët. Siç qemë ikëm. Siç qemë në shtëpi ikëm. Për çfarë e kemi shtetin, për çfarë e duam shtetin. Mundësi shteti pati ta fikte, vërtetë ka zjarr në tërë rrethet, ama të bëhet shteti pak i gjallë.
Ne e marrim në telefon, ai fik telefonin. Në orën 09:00 ka ardhur një zjarrfikëse. Një zjarrfikëse erdhi që në mëngjes, kur u kthye që erdhi zjarri te neve. Rroftë ai autobusi i fshatit që erdhi na mori. U dogjëm si minjtë, na u dogj malli, na u dogjën shtëpitë. Sikur mos të ketë shtet,” u shpreh një banor.
“Ishte zjarri shumë i madh. Qëndruam deri në fund, edhe ne desh u dogjëm. U dogjën shtëpitë rreth e qark. Erdhi policia, ne nuk pranuam të ikim. Na mori me forcë nuk ikëm,” u shpreh një banor tjetër.

