Politike
Bardhi injoron kërkesën e Açkës: Më erdhi një e-mail pa vulë e pa firmë
Këshilli Kombëtar ka injoron Komisionin e Apelimit, i cili ditën e djeshme shfuqizoi vendimin e Gazment Bardhit për mbledhjen e sotme të thirrur prej tij.
Sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi në nisje të mbledhjes ka informuar anëtarët e Këshillit Kombëtar se dje në mesnatë ka marrë një email anonim nga një adresë email në emrin e Flutura Açkës, ku bashkëlidhur ishte një dokument pa firmë, pa vulë dhe pa numër protokolli sipas tij që këkronte shfuqizimin e aktit të thirrjes së mbledhjes.
Bardhi mësohet se ka kërkuar që përpara se të kalohet tek miratimi i Rendit të Ditës, të diskutohet mbi këtë situatë. 3 anëtarët e Komisionit të Drejtimit të Mbledhjes Dhurata Çupi, Bledion Nallbati dhe Lefter Geshtenja, lexuan qëndrimin e tyre për situatën.
Mësohet se ato janë shprehur se: Email i nisur në emër të një organi statutor të PD –së, siç është Komisioni i Apelimit, Etikës dhe Integritet, është një shkelje e rëndë statutore për shkak se ky organ statutor nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar, nuk është konstituuar dhe për pasojë nuk ekziston.
Nga ana tjetër, argumentet e dhëna në shkresën pa firmë, pa vulë dhe pa numër protokolli, me emrin e poshtëshënuar “Kryetari Flutura Açka”, janë tërësisht antistatutore dhe kanë si qëllim përhapjen e lajmit të rremë për moszhvillimin e mbledhjes, me qëllimin e vetëm të pengimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar.
Thirrja e mbledhjes së Këshillit Kombëtar në kushtet e parashikuara në nenin 46, pika 4 e Statutit, është kompetencë ekskluzive e Sekretarit të Përgjithshëm. Formulimi i rendit të ditës i bërë prej Sekretarit të Përgjithshëm, është tërësisht statutor por në çdo rast ai mbetet një propozim për rend dite, sepse Rendi i Ditës së mbledhjes së Këshillit, miratohet në fillim të mbledhjes nga vetë Këshilli Kombëtar. Cilido anëtar i Këshillit Kombëtar që nuk është dakord me formulimin e propozimit për rend dite të bërë nga autoriteti statutor përgjegjës për thirrjen e mbledhjes – që në kushtet e pikës 4 të nenit 46 është vetëm Sekretari i Përgjithshëm – ka të drejtën që të bëjë kërkesa dhe propozime për riformulimin, ndryshimin, shtesën apo heqjen e pikave të Rendit të Ditës.
Pretendimi që votimi duhet të bëhet i fshehtë dhe mbledhja online nuk e mundëson këtë gjë është tërësisht i pabazuar në dy drejtime: Së pari, nuk ka asnjë rregull në Statut sesi kryhet votimi në rastin e aplikimit të nenit 46, pika 4 e Statutit dhe në çdo rast është vendimmarrje e Këshillit forma e votimit; dhe Së dyti, platforma elektronike ZOOM e përzgjedhur për pjesëmarrjen në mbledhje, mundëson teknikisht votimin e fshehtë në rast se Këshilli Kombëtar voton për të përzgjedhur “votimin e fshehtë” si formë votimi për vendimmarrjen e tij.
Dhe së fundmi, mashtrimi publik se Këshilli Kombëtar i PD nuk ka Rregullore të Brendshme është një shkelje e rëndë etike, për shkak se Këshilli Kombëtar jo vetëm ka miratuar Rregulloren e tij të Brendshme në mbledhjen e datës 15 Janar 2022,por mbi përmbajtjen e saj ka zhvilluar diskutime të gjata dhe ka bërë edhe ndryshime të shumta mbi draftin e propozuar nga grupi i punës. Ky është një fakt publik që rezulon të jetë pasqyruar gjerësisht në media në atë kohë.
Për pasojë, email anonim dhe shkresa anonime (sa kohë është pa firmë, pa vule dhe pa numër protokolli konsiderohet anonime dhe e rremë), e lëshuar në emër të një organi statutor të PD që nuk ekziston, është nul dhe nuk mund të diskutohet, shqyrtohet apo anullohet. Për pasojë, duhet të vijohet me mbledhjen dhe me miratimin e Rendit të Ditës.
Të gjithë anëtarët prezent në mbledhjen e Këshillit Kombëtar konfirmuan miratimin e Rregullores së Brendshme në mbledhjen e tij të datës 15.01.2022. Ata miratuan me unanimitet qëndrimin e mësipërm, duke konfirmuar që Komisioni i Apelimit në PD nuk ekziston dhe shkresa pa firmë e vulë, lëshuar në emrin e tij, duhet injoruar.