Connect with us

Politike

Bardhi letër ambasadave: Maxhoranca vepron si në Korenë e Veriut

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një letër zyrtare Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, duke vendosur në dijeni edhe ambasadat kryesore të huaja në vend. Bardhi shkruan se sjellja e maxhorancës në Shqipëri është e njëjtë me atë të diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Përmes mohimit të të drejtës kushtetuese për kontroll parlamentar të Qeverisë, mosshqyrtimit të projektligjeve të deputetëve të opozitës, mohimit të të drejtës për të marrë përgjigje nga organet ekzekutive për çështje në interes të qytetarëve, apo mohimit të të drejtës për të caktuar ajo përfaqësuesit e vet në komisionet e posaçme parlamentare, praktikisht mazhoranca juaj po tenton të krijojë një Parlament njëpartiak, antidemokratik, autoritar dhe që dhunon hapur të drejtat e pakicës parlamentare”, shkruan Bardhi.

Gazment Bardhi shton se pengimi i deputetëve të opozitës që të futen në zyrat e tyre në Kryesinë e Kuvendit, apo prezenca brenda sallës së seancës plenare të rreth 60 punonjësve të Gardës së Republikës, është në shkelje të Rregullore së Kuvendit dhe e ka shndërruar Parlamentin në sallë të Gardës së Republikës, duke intimiduar deputetët e opozitës me forca sigurie.

“Intimidimi me forca sigurie i deputetëve të opozitës, është një veprim që edhe Koreja e Veriut dhe vetë Kim Jong-un do ta kishte zili. Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, duhet të përafrohet me standartet e vendeve të BE-së dhe jo me standartet e diktatorit të Koresë së Veriut! Në çdo rast më lejoni që në emër të deputetëve të opozitës t’ju siguroj ju dhe udhëheqësin tuaj shpirtëror Edi Rama, që do të mbeteni përjetësisht dhe në tentativë vetëm një kopje e shëmtuar dhe në miniaturë e Kim Jong-ut”, përfundon letra, që vjen pas seancës së tensionuar në Kuvend të kësaj të hëne.

Advertisement