Politike
Bardhi: Nga satelitët fantazmë tek dronët luftarakë, Edi Rama i njëjti mashtrues si në vitin 2022

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me deklaratat e sotme të Kryeministrit Edi Rama për kontrollin me dronë të territorit për të shmangur ndërtimet pa leje.
Bardhi sjell në vëmendje përmes një video deklaratat e ngjashme të Edi Ramës në vitin 2022 ku deklaronte se kontrolli i territorit do të behet përmes dy satelitëve në kohë reale.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Edi Rama dje dhe sot, nga satelitët fantazëm tek dronët luftarakë!
Ajo që nuk ndryshon prej 12 vitesh është epoka e mashtrimit të shqiptarëve nga Edi Rama. I njëjti mashtrim në 2022, i njëjti mashtrim edhe sot. Ndryshon vetëm “mjeti”: nga satelitët kemi kaluar tek dronët!
E gjitha për të justifikuar aferën e radhës, para të taksapaguesve që jepen për qokë personale dhe që nuk shërbejnë për asgjë! E vërteta e kontrollit të territorit është që njerëzve u shkelet syri para zgjedhjeve për t’u marrë votën, pastaj shpërthejnë “muçërit” dhe u marrin shpirtin dhe kursimet e jetës.
Për pasojë paligjshmëria nuk buron nga njerëzit. Një qeveri që u shkel syrin njerëzve për të shkelur pak ligjin në këmbim të votës nuk e zgjidh problemin as me satelitë fantazëm, as me dronë imagjinarë. Problemi është vetë Edi Rama!

