Politike
Bardhi thirrje SPAK-ut: Në dy vite janë pastruar 1.6 mld euro
Kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i ka bërë thirrje SPAK-ut që të hetojë lejet për kullat dhe resortet. Me anë të një postimi në ‘Facebook’, Bardhi thekson se në një periudhë 2-vjeçare, në Shqipëri pastrohen 1.6 miliard euro në sektorin e ndërtimit.
Ai thotë ndër të tjera se kjo nuk mund të ndodhë pa dijeninë e kryeministrit Rama dhe kryebashkikut Veliaj, që japin lejet e ndërtimit. Në vazhdën e akuzave, Bardhi shprehet se ata që janë ortakë në pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit, nuk mund të pranojnë veprimin e ligjit kundër tyre.
Postimi
Qeveri—bashki-trafikantë, koha që SPAK të hetojë lejet për kullat dhe resortet! Ka një llogari të institucioneve të specializuara se në një periudhë 2 vjeçare, në Shqipëri pastrohen 1.6 miliard euro në sektorin e ndërtimit. A mund të ndodhë kjo pa dijeninë e 2 njerëzve që japin lejet kryesore të ndërtimit, Edi Ramës dhe Erion Veliajt? Përgjigja është: Jo, kurrë! Kushdo që orienton debatin, duke anashkaluar këtë fakt, i shërben parasë së pistë. Këtë qendrim kemi mbajtur si grup parlamentar, edhe në korrik, kur u diskutua nisma e koleges Jorida Tabakut për të përmirësuar ligjin kundër pastrimit të parave. Nuk ka asnjë dyshim, se ata që janë ortakë në pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit, nuk mund të pranojnë veprimin e ligjit kundër tyre. Prandaj, jemi sot vendi ku qeveria, bashkia, të korruptuarit dhe trafikantët e drogës janë ortakë mes tyre me leje ndërtimi dhe pastrimi parash.
Si një nga deputetët që kam ngritur vazhdimisht zërin dhe kam sjellë fakte për denoncimin e përfshirjes së qeverisë dhe bashkisë në biznesin e pastrimit të parave përmes kullave shumëkatëshe ripërsëris thirrjen për SPAK-un që të tregojë se është më i fuqishëm se korrupsioni politik dhe se krimi i organizuar.
2 vjet më parë, SPAK-u hapi një hetim, pasi në përgjimet e Antimafias italiane u zbulua se lejet e ndërtimit në Tiranë jo vetëm blihen me para të pista, por ndërtimi i kullave, me firmën e Ramës dhe Veliajt, shërben për pastrimin e parave të krimit të organizuar.
Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë çfarë po bëhet me këtë hetim. Heshtja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe e SPAK-ut nuk i shërben interesit publik.
Nisja për ndërtimin e kullës më të lartë në Ballkan në qendër të Tiranës, duke zaptuar një tjetër hapësirë zë gjelbër, ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e drejtësisë për të hetuar procedurat e marrjes së lejes, pronarët reale, si dhe burimet e financimit. Dhe jo vetëm për këtë rast. Duhet hetuar çdo leje e ngjashme në Tiranë dhe në Bregdetin e Shqipërisë, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë veshur kostumin e investitorit strategjik.