Connect with us

Shkrime

Basha, euroatlantiku i braktisur

Në një etiketë të madhe me logon e Kuvendit të Shqipërisë shkruhet: Z. Lulzim Basha Deputet.

Teksa, në sfond, dëgjohet kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila me zë të plotë lexon disa njoftime për ndryshime, që kanë ardhur nga grupet parlamentare.

“Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka vendosur që Lulzim Basha të mos jetë më në delegacionin e Këshillit të Evropës. Ai do të zëvendësohet nga Albana Vokshi”, lexon ajo me një frymë.

Ishte në fakt roli i fundit që i kishte mbetur nga ajo e cila ai e quan “parti e vjetër”, pasi më vete tashmë vet emërtohet “demokrati euroatlantik”.

Pjesa “euroatlantike” iu shqit nga ata, të cilët dikur ia qëndisën mbi supe, duke e kthyer në një figurë, e cila në fakt edhe gjerësisht në opinion si e tillë paraqitej dhe perceptohej, si stofa e një politikani perëndimor dhe larg realitetit brutal shqiptar.

I tillë doli!

Nëse perceptohet kjo si më e keqja, as e tillë nuk është, sepse nuk u deshën shumë orë pas seancës, për të reflektuar zërat që qarkullonin prej kohësh.

Ndër besnikët e Bashës deri në ditët e fundit të betejës kundër qëndrimtarit Sali Berisha në PD, Enkelejd Alibeaj e artikuloi qartësisht: Jemi duke punuar për një parti të re.

Ai nuk e përmendi Bashën, as për mirë e as për keq. Por, ai përmendi se opozita sot është “false”.

Iu referua asaj të Berishës, të cilën e futi në një grumbull me politikën e kryeministrit Edi Rama. Por nuk e përjashtoi as Bashën, pavarësisht se e mbajti larg përfoljes.

“Nëse ka forcë përtej të vjetrës, besoj se shqiptarët do mbështesin një alternativë të besueshme. Unë jam një prej personave që jam pjesë e grupimit”, tha Alibeaj, duke mos e bërë të qartë se ku Basha përket, mes të resë dhe të vjetrës.

Por, panorama është e qartë dhe e ngjeshur për ish-kreun e opozitës.

Ai guxoi, vonë…tepër vonë. Dhe u dogj nga ky guxim politik. Provoi të qëndronte dhe ai, si paraardhës/pasardhësi i tij në PD, por nuk ia doli, me metodologji, të cilat edhe nuk u pëlqyen.

E vetmja gjë që i mbetet është ajo karrige boshe në sallën e Parlamentit. Të paktën edhe për një vit. Ndoshta boshe më shumë…

Advertisement