Politike
Basha: PD po riorganizohet për të qenë në shërbim të shqiptarëve
Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët e Divjakës, ku u shpreh se PD po riorganizohet për të qenë instrumenti i qytetarëve për të ndryshuar sistemin politik që nuk i përfaqëson më.
Më tej u shpreh se listat e hapura, vettingu në politikë, kufizimi i mandateve dhe vota e diasporës janë vetëm fillimi.
“Partia Demokratike po rioganizohet për të qenë në shërbim të shumicës së heshtur të shqiptarëve dhe instrumenti i tyre për ta ndryshuar këtë sistem politik që nuk i përfaqëson më.
Partia Demokratike do modernizohet, do ripërtërijë rradhët e saj e do hapet ndaj të gjithë atyre që kanë te njëjtat vlera me ne:
Për aleancën tonë me partnerët strategjikë;
Për luftën pakompromis ndaj korrupsionit;
Për pastrimin e politikës dhe për t’u dhënë fuqi shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre.
Aleanca Qytetare për Demokracinë do të formësojë një mazhorancë reformuese duke nisur me:
Listat e hapura; Vetting-un në politikë; Kufizimin e mandateve; Votën e diasporës.
Me mbështetjen e demokratëve, përgjegjësia ime do të jetë, të shtrijë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që beson në këto vlera. Me këto transformime ne synojme rritjen e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë.
Për këtë arsye:
Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit;
Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti;
Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë;
Zgjedhjen e drejpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve.
Në duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika!”, u shpreh Basha.