Politike
‘Basha të nisë tur në të gjithë vendin’/ Topi: Do t’i jap suport të fortë politik
Ish-presidenti Bamir Topi, në një emision televiziv u shpreh se kreu i PD, Lulzim Basha duhet të tregojë gjeste të forta, të jetë aktiv dhe të mos ndalet asnjë minutë, por të jetë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.
“Basha duhet të tregojë, të ketë gjeste të forta dhe gjatë rrugës do të shihet nëse do të meritojë suport apo jo. Unë jam mësuar të dëgjoj premtime politike. Do të jap suport të fortë publik, unë i sugjeroj Bashës të jetë i guximshëm gjë që nuk e ka treguar. Të jetë aktiv, është në krye të PD. Në kuptimin figurativ, nuk duhet të flejë asnjë minutë, në 24 orë. Duhet të fillojë një tur në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh ish-Presidenti.
Gjithashtu, ai theksoi se ish-kryeministri Berisha dhe kryeministri Edi Rama kanë shkatërruar demokracinë.
“Për disa gjëra jem i kursyer për të mos i thënë në publik. Bashën e shoh në tentativë për rikthim, por në vështirësi të mëdha, që i vijnë nga vetvetja. Sot nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale në Kukës. Të gjithë kanë filluar të kuptojnë diçka. Vërtetë është PD zyrtare, por është një minorancë e mjerueshme. Unë gjithsesi, mbështetjen për Berishën nuk do ia jepja kurrë. E them vazhdimisht se njerëzit e harrojnë, apo bëjnë sikur e harrojnë. Është ai dhe Rama antikitet të shkatërrimit të demokracisë. Njeriu më i pa interesuar për të ndryshuar sistemin politik nuk është Rama, por Berisha. Ky vend mund të kthehet në monizëm. Duhen gjetur arsyet e vërteta të shkatërrimit të sistemit politik në Shqipëri. Duhet theksuar se aksioni politik është tjetër gjë dhe ëndrra për t’u bërë kryeministër është tjetër gjë. Me 10 deputetë, për atë s’duhet të ketë gjumë më. Është unaza e fundit e ciklit”, tha ish-presidenti.