Politike
Basha zhgënjen ish-miqtë: Është futur në lojën e Ramës, klikimet nuk janë vota

Hidhje-pritjet virtuale mes dyshes më virale, konkurruese në zgjedhje, Rama- Basha, po kthehen në bezdisëse dhe të papërtypshme për disa vëzhgues.
Ata që besuan deri në momentet e fundit të drejtimit të PD-së te Lulzim Basha, sot janë të befasuar për shndërrimin 180 gradë të ish kryetarit.
Zhgënjim ndjen Flutura Açka që njihet si mikja dhe bashkudhëtare e mëparshme e Bashës në parti.
Megjithëse, kjo shfaqje për ishin tjetër të Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeajn nuk e favorizon atë në të ardhmen politike.
“Një kërkesë dëshpëruese e tij për të rënë në sy për vota, por çfarë do të përkthehet në mandat? Humbi nga sytë e shqiptarëve gjatë kohës që po përpunohej përgatitja e polit të tretë dhe shfaqet befas në këto forma e këto shfaqjet e fundit të shëmtuara, ka kaluar kufijtë jo vetëm të seksizmit, por të lapërdhisë. Më ka lënë një shije të keqe për faktin a është ky njeriu që kam mbështetur unë?”, tha Açka.
“Klikimet, likes, shares, views, nuk janë vota. Deformimi, shfaqja ndryshe, të mos qenurit i vërtetë, në fakt është një nga kufijtë që duhet përdorur në rrjete sociale. Sigurisht janë mjete të mira ta pranojmë, por do duhet të shfaqen ashtu sic janë dhe jo thjesht në segmentin e fundit kohor para fushatës. Të nxjerrim një fytyrë tjetër që s’është e vërteta. Kjo për mendimin tim, është “antifushatë”, tha Alibeaj.
Vendimi i Flutura Açkës për t’u tërhequr nga angazhimi elektoral, pa emrin në lista, lidhet edhe me lëvizjet e politikanit që i besoi, i cili sipas saj e ka përdorur për interesin e tij personal, të mbajë në pushtet Ramën e në opozitë Berishën.
“Rama vetë është në lojën e tij, në qëllimin e tij për të shkatërruar çdo votë opozitare; gjithë format e veta që i ka thënë e shprehur e në fushata të tjera, jo dajre, jo timon, jo tenxhera, jo këngë rrep… por çështja është pse e bën Basha këtë? Kjo që shoh sot është se qëllimi i tij ka qenë për të shkatërruar. Qëllimi i tij është i vetëm për të qenë në piacë bashkë me Berishën dhe Ramën; domethënë ky trekëndëshi i tyre i famshëm i Bermudës është më shumë se kaq. Pra, po mbron establishmentin dhe po dëmton forcat e reja politike që mund ti japin gjallëri demokracisë shqiptare”, tha Açka.
Por Enkelejd Alibeaj që ka krijuar partinë e tij të re e garon në 11 majin me koalicionin “Djathtas për zhvillim”, mendon se teknologjia ndikon në përshpejtimin e mesazheve, edhe pse vlerëson se mjetet e reja të fushatës po keqpërdoren nga kolegët.
“Kam pozicionin e siluetën time të pangjashme me asnjërin, me Bashën jo e jo. Kjo fushatë nuk do duhet të jetë sipërfaqësore. Momenti politik dhe historik i vendit është kaq i rëndësishëm për çështje po kaq serioze: drejtësia, mungesa e demokracisë, ekonomia ; s’mund të kalojnë me gallatën 30 sekondshe të rrjeteve sociale”, tha Alibeaj.
Drejtuesi politik i Euroatlantikëve i ndarë nga të besuarit e të shkuarës, duket se nuk impaktohet nga fjalët e tyre dhe vazhdon marrëdhënien atipike në distancë me kryeministrin…

