Connect with us

REAGIM

Bashës nuk mund ti mohohet talenti për ti bërë kaçurrel nervat e Berishës

Nga Dritan Hila

Mbështetësit e Berishës kanë shkuar rishtas për t’u futur në selinë e PD dhe rishtas kanë gjetur dyert e mbyllura.

Kjo varavingo mund të ketë kuptim deri në datën 9. Natyrisht që nuk prek zemrat e shqiptarëve që dikush është lënë jashtë dyerve të PD. Shqiptarët po e shijojnë pasi ata që trokasin në derë nuk njihen si dishepuj të demokracisë. Për ne janë disa tipa që i kanë nxjerrë jashtë nga shtëpia. Kurse sa i takon këndvështrimit politik e gjitha kjo tregon se Berisha e ka humbur instinktin dhe nuk është në gjendje të prodhojë diçka tjetër më shumë se kaq. Në fakt u duk që në mitingun e stadiumit ku kënga shoqëruese ishte një hit i fundviteve ‘80-të, i mbetur në memorien e tij mbase kur e dëgjonte fshehurazi në vilën e Enver Hoxhës. Mirë edhe kaq se mund të kishte vënë edhe “Another brick in the wall” te Pink Flloyd të viteve ‘70-të.

Gjithsesi e gjitha kjo ka një deadline, një fund: Data 8. Nëse pas kësaj date Lulzim Basha është akoma në zyrë, atëherë bën mirë që të fillojë dhe kërkojë një seli të re për partinë që do të krijojë pasi historia e tij në PD ka marrë fund. Fakti që po e përzë Gaz Bardhi, mbase është edhe një fakt që karma funksionon si hakmarrje për të gjithë ata që ka përjashtuar Berisha në 30 vite mbretërim në PD.

A do të ketë fuqi Berisha të destabilizojë vendin? Mesa duket jo! Ish-trafikantë të kërkuar në perëndim dhe që mendonin se rreshtimi politik do t’i shpëtonte në Shqipëri, sot shohin që pas shqyerjes së dyerve janë të kërkuar edhe nga policia shqiptare. Kjo është demotivuese për skalionin që zakonisht përdoret si pararojë sulmi.

Faktor tjetër që nuk është në favor të revolucioneve janë ndjekësit e Berishës. Politikanët që i shkojnë pas tregojnë që 8 vjet nuk kanë mjaftuar t’ju shkrijë dhjamin. Me makina 70-100 mijë euroshe, me biznese herë të ditura dhe herë të fshehura, këta nuk janë të gatshëm t’i prijnë sulmuesve për të marrë Pallatin e Dimrit pa pasur parasysh pasojat. Revolucionet udhëhiqen nga idealistë dhe ndiqen nga të uritur, por jo nga kush pushtetin e ka shfrytëzuar për bizneset e veta.

Dhe së fundmi është klima e Tiranës ajo që nuk inkurajon trazirat. Iku koha kur mitingashët në fund i fusnin një pastrim edhe dyqaneve të televizorëve. Tani mitingashët e kanë zënë veten me biznese dhe nuk duan trazira kurse biznesmenët nuk janë aq të gatshëm të bëhen pre e plaçkitësve.

Sa për Lulzim Bashën, ende nuk ka shumë për të thënë. Por nuk mund t’i mohohet talenti për ti bërë kaçurrel nervat e Berishës dhe ta tërheqë në një betejë durimi duke krijuar kështu profilin e një lideri që nuk do dhunën dhe lënë kështu Berishës faturën e sulmeve mbi institucionet të viteve 2019-2022.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *