Connect with us

Politike

Bashkimi Europian i hap dyert Shqipërisë, por ka një kusht, drejtësi e pavarur dhe…

Parlamenti Europian miratoi sot, në 9 korrik, në seancë plenare në Strasburg, raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024, me 502 vota pro.

Eurodeputetët, me anë të këtij raporti të parë të këtij mandati, theksojnë konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë publike të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, së bashku me përputhshmërinë e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Duke përshëndetur synimin e Shqipërisë për të përmbyllur bisedimet e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe progresin e deritanishëm, eurodeputetët nënvizojnë nevojën urgjente për të intensifikuar reformat.

Prioritetet kyçe përfshijnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Forcimi i pluralizmit mediatik dhe transparencës mbetet thelbësor për të ndërtuar besimin e publikut, theksojnë eurodeputetët.

Raporti vëren polarizimin e vazhdueshëm politik të karakterizuar nga retorika konfrontuese dhe bën thirrje për një dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Po ashtu, i nxit autoritetet të vazhdojnë përpjekjet për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur llogaridhënien.

Raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder deklaroi se:
“Në raportin e parë të këtij mandati për Shqipërinë, përshëndesim progresin e shpejtë që ka arritur ‘kryesuesja e procesit të anëtarësimit’ gjatë viteve të fundit. Shqipëria është një partnere e fortë dhe e besueshme në politikën e jashtme dhe ka ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm në fusha si drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e mjedisit. Për të arritur qëllimin e anëtarësimit të plotë në BE deri në vitin 2030, është thelbësore të vijojë puna e mirë përmes zgjerimit të modelit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të modelit të mirëqenies sociale, si dhe përmes zbatimit të një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe tërësore. E ardhmja e Shqipërisë është në BE.”

Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, mirëpriti raportin e Parlamentit Europian, duke vlerësuar rolin konstruktiv dhe mbështetës të PE-së, dhe falënderoi eurodeputetët për ndjekjen e zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo u shpreh se ky raport përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konfimon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Europian.

Spiropali tha se ky hap tregon progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen dhe përparimin në grupet e kapitujve të negociatave dhe fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të bazuar në merita, të drejtë dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë.

“Ky raport vjen në një moment të rëndësishëm, teksa Shqipëria po avancon me vendosmëri, në fakt në mënyrë të paprecedent- siç e theksoi vetë Komisionerja Kos në seancën e datës 8 korrik – në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, në përputhje të plotë si me aspiratat e popullit shqiptar, ashtu edhe me vlerat themelore të Bashkimit Europian, për të forcuar më tej demokracinë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimin e administratës publike dhe lirisë së medias”, deklaroi Kryetarja e Parlamentit.

Raporti u miratua me 502 vota pro, 120 kundër dhe 64 abstenime.

Advertisement