Connect with us

Kosova

Bashkimi Evropian ka bërë një “propozim modern evropian” për Asociacionin

Si rezultat i takimit të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë që zhvilluan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe shkëmbimeve që kanë pasur me palët, Bashkimi Evropian tha se ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Unioni tha se pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e raporteve. Këto deklarata i bëri zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili konfirmoi se blloku ka ftuar në Bruksel të enjten, më 26 tetor, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur do të mbahet samiti i BE-së.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”

Sipas zëdhënësit Peter Stano, “priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte. Më herët, lidhur me çfarë pritet, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe se takimi i tij me Big Five ishte “i vështirë” për të dhe se nuk mund të jepte më shumë hollësi.

“Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën. Besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza”

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se tentoi të “aneksojë veriun e Kosovës” kur një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

 

Advertisement