Bota
‘Bashkohuni me ne, herët ose vonë…’/ Trump i bën thirrje Britanisë për të dërguar anije në Ngushticën e Hormuzit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera aleate që t’i bashkohen atij në dërgimin e anijeve ushtarake për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se pavarësisht përpjekjes së Iranit për ta mbyllur këtë kalim strategjik, SHBA-ja do të sigurojë që ai të mbetet i hapur.
“Në një mënyrë ose në një tjetër, së shpejti do ta hapim Ngushticën e Hormuzit, të sigurt dhe të lirë”, shkroi Trump.
Sipas ‘BBC’, tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pasi gjashtë anije u sulmuan në Gjirin Persik brenda më pak se 48 orësh gjatë kësaj jave. Ndërkohë, udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, në deklaratën e tij të parë publike u zotua se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet për të bllokuar ngushticën.
Më herët, Trump deklaroi gjithashtu se objektivat ushtarake në ishullin iranian Kharg, një nga qendrat kryesore të eksportit të naftës së vendit, janë “shkatërruar plotësisht”.
Nga ana tjetër, Teherani paralajmëroi se infrastruktura e naftës dhe energjisë e kompanive që bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara mund të “shndërrohet në një grumbull hiri”.