Connect with us

Kosova

Bauer paralajmëron rritjen e numrit të ushtarëve të KFOR në Kosovë

Rob Bauer, kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, tha se Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë shembuj të bashkëpunimit dhe përshkushtimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor, por se edhe liderët rajonalë duhet të japin kontrubut në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

“Ne nuk jemi të vetmit që duhet të bëjmë diçka në Ballkanin Perëndimor. Të gjithë liderët politikë duhet të jenë përgjegjës për vendet e tyre. Nuk mjafton të ulesh dhe të presësh që BE-ja dhe NATO-ja të bëjnë diçka për Ballkanin Perëndimor. Vetë liderët e këtyre vendeve luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë” –  u shpreh admirali amerikan.

Ai theksoi se gjithnjë e më shumë po diskutohet nëse numri i forcave ushtarake në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) është i mjaftueshëm, posaçërisht pas ngjarjeve të vitit të kaluar që dëshmuan se paqja në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë, ndërsa paralajmëroi se numri i personelit ushtarak në KFOR mund të rritet varësisht rrethanave.

“Tani po diskutohet nëse numri i forcave në KFOR është i mjaftueshëm dhe nëse është e nevojshme, atëherë do duhet t’i shtojmë. Ne vlerësojmë çdo mision, çdo vit bëhet një vlerësim se si po ecën misioni dhe nëse është e nevojshme, ne e ndryshojmë”- nënvizoi Bauer.

NATO kohët e fundit ka shtuar me 1 mijë, numrin e ushtarëve në Kosovë. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash, ndërsa Rumania ka dislokuar rreth 130 ushtarë pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu ka marrë vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR.

Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia ka rritur numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë janë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri pritet të rritet edhe me 100 të tjerë të paktën.

Më 5 dhjetor 2023, batalioni Italian gjithashtu është vendosur në Kosovë. Turqia ka dislokuar një batalion të këmbësorisë së Forcave të Armatosura pas zhvillimeve të fundit, kurse Kroacia miratoi pjesëmarrjen e deri 160 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë.

Zvicra gjithashtu do ta rrisë numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it. Gjermania do dërgojë rreth 150 ushtarë në prill të këtij viti. Gjithashtu, rreth 50 ushtarë amerikanë nga regjimenti i 244-të i aviacionit do të dislokohet në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të KFOR-it, ndërsa Moldavia ka dislokuar në vend rreth 40 ushtarë.

Advertisement