Bota
Bazë sekrete mes skeletesh/ Rusia spiunon NATON nga trageti i fundosur në Detin Baltik
Rusia mund të ketë krijuar një kamp sekret stërvitjeje për mbikëqyrje nënujore të aktiviteteve detare të NATO-s në zonën përreth tragetit Estonia, i cili u fundos në Detin Baltik. Kjo del sipas një hetimi të përbashkët nga gazetat gjermane WDR, NDR dhe Süddeutsche Zeitung, bazuar në informacione nga burimet e sigurisë së NATO-s.
Trageti “Estonia” u fundos në shtator 1994 gjatë një stuhie ndërsa ishte duke lundruar në rrugën nga Talini në Stokholm. Ajo u kionsiderua mbytja më vdekjeprurëse e anijes në historinë moderne evropiane: 95 persona vdiqën, me 757 të tjerë zyrtarisht të zhdukur. Disa nga trupat e viktimave ende ndodhen 80 metra thellë, 35 kilometra larg ishullit finlandez Uto. Si pasojë, autoritetet finlandeze, estoneze dhe gjermane kanë mbyllur aksesin në anijen e fundosur për të mbrojtur mbetjet e viktimave.
Falë këtij kufizimi, besohet se shërbimet ruse të inteligjencës kanë instaluar pajisje nënujore në anijen e fundosur që kontrollojnë dronët dhe robotët nënujorë, si dhe pajisje të afta për të mbledhur nënshkrimet akustike të anijeve luftarake dhe nëndetëseve të NATO-s. Agjencitë perëndimore të inteligjencës besojnë se Drejtoria Kryesore për Kërkime në Det të Thellë (GUGI) e Forcave të Armatosura Ruse është përgjegjëse për këto operacione. Kjo njësi sekrete, e cila raporton drejtpërdrejt Ministrisë së Mbrojtjes, specializohet në spiunazh nënujor, sabotim dhe zbulim. Konkretisht, GUGI monitoron një flotë anijesh speciale, mini-nëndetësesh dhe dronësh nënujorë, përfshirë Yantar-in, të cilin NATO e konsideron si një nga anijet kryesore të zbulimit të Rusisë. Sipas hetimit, marinat e Aleancës e kanë zbuluar vazhdimisht Yantar-in në afërsi të kabllove nënujore dhe infrastrukturës kritike në Detin e Veriut dhe Baltik. Finlanda ka dhënë përkohësisht akses në një pjesë të zonës së mbrojtur nga viti 2021 deri në vitin 2024 për të kryer një hetim të ri mbi shkaqet e katastrofës. Gjatë kësaj periudhe, sipas hetimit, vendet e NATO-s kanë vërejtur një rritje të aktivitetit të nëndetëseve ruse në zonë. Për më tepër, vitet e fundit, Lituania, Letonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda kanë raportuar zbulimin e sensorëve nënujorë të paidentifikuar të prodhuar në Rusi. Artikulli, i ribotuar nga disa media të pavarura ruse, siç është Moscow Times, pohon gjithashtu se kompanitë ruse kanë blerë teknologji të përparuar perëndimore të mbikëqyrjes nënujore për shumë vite përmes një rrjeti ndërmjetësish, përfshirë kompani të regjistruara në Qipro.