Connect with us

Kosova

BE dhe SHBA toleruan lojërat e Vuçiçit, shkruan gazeta gjermane

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për vite me radhë i toleruan lojërat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, gjithmonë duke shpresuar në zgjidhjen e nyjës së Kosovës, derisa Serbia është shndërruar në një “demokraci hibride” ku zgjedhjet formale zhvillohen, por proceset zgjedhore janë larg të qenit të lira dhe të ndershme.

Kështu shkruan gazeta gjermane “Die Tageskeitung (TAZ)” në një artikull kushtuar zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të mbajtura në Serbi të dielën e 17 dhjetorit,  ku fitoi Partia Progresive Serbe (SNS), duke e shndërruar presidentin serb në qendrën politike të Serbisë dhe duke vazhduar dominimin mbi skenën politike serbe.

“Përderisa zyrtarët dhe politikanët evropianë dhe amerikanë i toleruan lojërat e Vuçiçit për vite me radhë – gjithmonë duke shpresuar se ai do të zgjidhte nyjën e Kosovës – Serbia u shndërrua në një ‘demokraci hibride’. Kjo do të thotë se zgjedhjet formale po zhvillohen, por ato janë larg të qenit të lira dhe të ndershme”, shkruan gazeta gjermane në Berlin.

Në këtë drejtim, gazeta gjermane shkruan se është dëshpëruese të jetosh në Serbi, posaçërisht për njerëzit që besojnë në sundimin e ligjit, në lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, të drejtat e punëtorëve, shtetin e mirëqenies, rëndësinë e shoqërisë civile dhe debateve publike, në institucionet e pavarura shtetërore ose zgjedhje të lira e të  ndershme.

“Për ata që urrejnë kultin e personalitetit dhe falsifikimin e historisë është shtypëse të jetosh në Serbi.  Dhe është pothuajse e pashpresë të jetosh në Serbi, sepse kohët e mira thjesht nuk do të vijnë – pavarësisht afërsisë gjeografike dhe pavarësisht të gjitha fjalimeve të këndshme nga burokratët e Brukselit. Serbia është kandidate për anëtarësim në BE vetëm në letër”.

Në artikullin e gazetës gjermane kritikohet edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, veçanërisht për rolin e saj në forcimin e pushtetit të Vuçiçit në Serbi. Merkel, shkruan gazeta gjermane, në mënyrë naive dhe përkundër të gjitha paralajmërimeve, besoi në vullnetin e presidentit serb për ta harmonizuar gradualisht politikën serbe me standardet evropiane.

E besimi i qytetarëve serbë ndaj listës së partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, vetëm konfirmon se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal.

 

Advertisement