Connect with us

Kosova

BE-ja duket se e ka humbur busullën/ Kraske: Borrell dhe Lajçak të japin dorëheqje

Marion Kraske, politologe dhe publiciste gjermane, ka folur për rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, teksa ka kritikuar ashpër përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për situatën e krijuar në terren. Në një intervistë për rrjetin ndërkombëtar të lajmeve “Al Jazeera“, politologia gjermane ka thënë se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës ishte I orkestruar në Beograd. Ajo gjithashtu ka përmendur edhe kidnapimin e tre policëve kosovarë në vijën kuftiare dhe sulmet e protestuesve serbë ndaj ushtarëve të Forcës së NATO-s në Kosovë në fund të majit në Zveçan. “Të gjitha këto ngjarje kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, gjë që do të çonte në konfliktet e armatosura. Arsyeja e kësaj agjende destabilizuese është e lehtë për t’u përcaktuar: Serbia mohon pavarësinë e Kosovës, refuzon të njohë shtetësinë e Kosovës. Ky është shkaku kryesor i të gjitha manovrave dhe provokimeve përçarëse” – deklaroi Kraske. Gjithashtu, ajo ka përmendur edhe “rolin shkatërrues” të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare në këtë drejtim, duke theksuar se pesë shtete anëtare të BE-së – Spanja, Sllovakia, Greqia, Qiproja dhe Rumania – ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, gjë që, sipas saj, shkon në të njëjtën linjë me qëndrimin e Serbisë dhe Rusisë kundër Kosovës. “Ekziston nevoja urgjente për korrigjimin e politikës së BE-së në këtë rast, duke ushtruar më shumë presion në radhë të parë mbi shtetet e përmendura. Përndryshe, rrezikon të humbasë besueshmërinë e saj. Përpjekjet për të kënaqur presidentin e Serbisë, janë të dukshme dhe së fundmi kanë marrë forma të çuditshme” – theksoi politologia gjermane. Në këtë drejtim, ajo ka potencuar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Siguri, Josep Borrell dhe Emisari Special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, nuk kanë bërë punë të mirë në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të qëndrueshme, prandaj, sipas saj, duhet të japin dorëheqje nga pozita e lehtësuesve të dialogut. “BE-ja duket se e ka humbur busullën. Në përgjithësi, është shumë e diskutueshme pse BE-ja emëron negociatorë nga vendet që nuk e njohin Kosovën… dhe ata duhet të tërhiqen sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresa që nxjerr kryet për të marrë paksa frymë, posaçërisht pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe bllokimit të ecurisë së procesit të dialogut që aktualisht po mbanë të zënë diplomatët perëndimorë, duket se po fundoset përsëri e zhgënjyer. Diplomacia e eurokratëve po kthehet më shumë në arsye për papajtueshmëri sesa për të zgjidhur problemet” – theksoi Marion Kraske

Advertisement