Politike
BE-ja për negociatat: Shqipëria mes më të avancuarave
Shqipëria renditet mes vendeve më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vlerëson Komisioni Evropian në një përgjigje ekskluzive për Albanian Post.
“Shqipëria është ndër vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në BE. Brenda një viti ka bërë progres të rëndësishëm dhe ka hapur të gjithë klasterët e negociatave. Kjo tregon një nivel të lartë vendosmërie për rrugën evropiane”, deklaron një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Në Paketën e Zgjerimit 2025, Komisioni thekson se progresi është i dukshëm, por se procesi kërkon ende reforma të mëtejshme.
“Fakti që të gjithë kapitujt e negociatave janë hapur është një shenjë shumë pozitive. Megjithatë, miratimi dhe zbatimi i reformave për mbylljen e kapitujve është më i rëndësishëm dhe do të jetë fokusi i fazës së ardhshme të negociatave”, thekson Brukseli zyrtar.
Komisioni Evropian nënvizon gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve administrative të shtetit shqiptar për zbatimin e acquis të BE-së.
“Ne e shohim si të rëndësishme forcimin e kapaciteteve dhe strukturave të administratës publike shqiptare për të mbështetur procesin e anëtarësimit dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së”, thuhet në përgjigjen për Albanian Post.
Sipas Komisionit, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë hapa proaktivë për të vlerësuar kapacitetet administrative në ministritë përgjegjëse për kapitujt e negociatave, ndërsa BE shpreh gatishmërinë për të ofruar mbështetje të mëtejshme, veçanërisht në fushat më kërkuese.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fushat më kërkuese si Klasteri 5 për Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin, përfshirë fondet e para-anëtarësimit për zhvillimin rural (IPARD), të cilat mbeten të ndjeshme”, thekson zëdhënësi i Komisionit.
Brukseli nënvizon se ritmi i procesit të anëtarësimit varet nga vetë vendet kandidate.
“Procesi i anëtarësimit është dhe do të mbetet i bazuar në meritë, që do të thotë se Shqipëria mund të avancojë vetëm pasi të përmbushen të gjitha kushtet e përcaktuara në kornizën negociuese”, deklaron zyrtari evropian.
Sipas tij, progresi në sundimin e ligjit mbetet thelbësor për vijimin e negociatave.
“Shqipëria vazhdon të bëjë progres në sundimin e ligjit dhe ruajtja e kësaj trajektoreje do të jetë thelbësore për vazhdimin e procesit të anëtarësimit”, përfundon Brukseli zyrtar.
