Politike
BE-ja përgatit zgjerimin “pa bllokime”, anëtarët e rinj pa të drejtë vote
Bashkimi Evropian po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në rregullat e anëtarësimit, që do t’u lejonte vendeve të reja të bëhen pjesë e BE-së pa fituar menjëherë të drejtën e votës, në mënyrë që të shmangen bllokimet politike, raportoi Politico duke iu referuar disa diplomatëve evropianë dhe zyrtarëve të BE-së.
Sipas propozimit, vendet që do të anëtarësohen rishtas – përfshirë Ukrainën, Moldavinë apo Mali i Zi dhe Shqipëria – do të gëzonin përfitimet e anëtarësimit, por pa të drejtë vetoje në vendimmarrjen evropiane, derisa të kryhen reformat e brendshme të BE-së që synojnë kufizimin e fuqisë së bllokimit nga çdo shtet anëtar.
“Vendet e reja duhet të heqin dorë përkohësisht nga e drejta e vetos derisa të zbatohen reformat institucionale brenda BE-së”, tha Anton Hofreiter, kryetar i Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestagun gjerman, duke shtuar se “zgjerimi nuk duhet të ngadalësohet nga vendet që pengojnë ndryshimet”.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian po përgatit paketën e zgjerimit, që pritet të përfshijë edhe një propozim për reforma të brendshme në BE për ta bërë të mundur zgjerimin pa rrezikuar bllokime të reja nga vende të caktuara.
Një prej ideve është që negociatat e anëtarësimit të mos kërkojnë miratimin unanim të 27 vendeve anëtare në çdo hap, çka do të dobësonte fuqinë e vetos së Hungarisë.
Kjo nismë vjen në një moment të frustrimit të madh në vendet kandidate, si Mali i Zi, që kanë vite në negociata pa përparim të dukshëm. Ndërkohë, Ukraina e sheh procesin si një “test të vërtetë të unitetit evropian” përballë agresionit rus.
Megjithatë, disa shtete anëtare si Franca dhe Holanda mbeten kundër ndryshimeve të thella institucionale, duke e bërë të pasigurt nëse propozimi do të fitojë konsensus të plotë.
Ndërkohë, draft-konkluzionet e samitit të liderëve të BE-së këtë javë nuk përmendin fare zgjerimin, një fakt që ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e vendeve pro-anëtarësimit dhe në Bruksel.