Kosova
BE-ja thirrje Serbisë për të sjellë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2025/02/radoicic.jpg)
Bashkimi Evropian i ka bërë një tjetër thirrje Serbisë, duke kërkuar që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për sulmin vdekjeprurës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, në vjeshtën e vitit 2023.
Një zëdhënës i BE-së deklaroi se blloku ka marrë parasysh paralajmërimin e zyrës së prokurorit të lartë në Beograd për hapjen e hetimeve për këtë rast. Ai theksoi se Serbia është e detyruar të bashkëpunojë në hetimet për sulmin e paramilitarëve serbë.
Sulmi ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Zveçan, duke shkaktuar vdekjen e një polici të Kosovës. Gjatë përleshjes u vranë edhe tre terroristë serbë. Kosova fajësoi Serbinë, por ajo e mohoi përfshirjen.
Ndryshe, përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiç, politikan kontravers dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht se ekziston një fletarrest ndërkombëtar. Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiçin, në shtator të vitit 2024.
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)