Aktualitet
BE kërkon më shumë masa nga Shqipëria për vizat dhe azilin
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e 8-të në kuadër të Mekanizmit të Pezullimit të Vizave, ku vlerëson se Shqipëria ka ndërmarrë hapa për të adresuar shumicën e rekomandimeve të mëparshme, por thekson se nevojitet progres i mëtejshëm në disa fusha kyçe.
Sipas raportit, një nga çështjet prioritare mbetet përafrimi i politikës së vizave të Tiranës zyrtare me listën e BE-së, veçanërisht ndaj vendeve të treta, shtetasit e të cilave paraqesin rrezik për migrim të paligjshëm apo siguri në Bashkimin Evropian.
Komisioni kërkon gjithashtu që Shqipëria të harmonizojë procedurat e lëshimit të vizave me standardet e Shengenit, përfshirë mbledhjen e të dhënave biometrike, si fotografi digjitale dhe gjurmë gishtash.
Edhe pse numri i kërkesave ka shënuar rënie në vitin 2024 krahasuar me 2023, Shqipëria mbetet ndër vendet me shifra të konsiderueshme, me rreth 7 mijë e 140 aplikime për azil, shumë prej të cilave me norma shumë të ulëta pranimi.
Raporti nënvizon gjithashtu nevojën për luftë më të fortë kundër dokumenteve të identitetit të falsifikuara, duke kërkuar intensifikimin e masave për zbulimin dhe parandalimin e përdorimit të tyre.
Në fund, Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë të heqë dorë përfundimisht nga çdo skemë e shtetësisë për investitorë, duke mos e zbatuar dhe duke shfuqizuar bazën ligjore për një skemë të tillë përmes ndryshimeve në ligjin për shtetësinë.