Connect with us

Aktualitet

BE mesazh Kosovës dhe Serbisë: Silluni si europianë

Bashkimi Europian i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në mënyrë evropiane dhe të shmangin veprimet dhe retorikën që mund të nxisë tensione. Këto komente pasuan reagimin e zemëruar të Beogradit ndaj emërimit të ministrit të ri për komunitete në qeverinë e Kosovës Nenad Rashiç, një politikan i moderuar në vend të ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.

Zëdhënësi i bllokut europian, Peter Stano tha se Unioni pret që Serbia dhe Kosova të veprojnë në mënyrë evropiane.

“Nëse keni aspirata evropiane, silluni në mënyrë evropiane. Mënyra evropiane do të thotë të përmbaheni nga hapat e njëanshëm, të përmbaheni nga hapat që rrisin konfrontimin, që çojnë në përshkallëzim dhe të angazhoheni në gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë evropiane”, tha Stano

Emërimi i ministrit Rashiç u bë më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe. Dorëheqja pasoi mospajtimet e përfaqësuesve serbë në veriun e Kosovës me vendimin e qeverisë qendrore për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Advertisement