Aktualitet
BE në alarm pas paralajmërimeve të Trump për tërheqje ushtarake nga Evropa

Deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për një tërheqje të mundshme të angazhimit ushtarak në Evropë kanë ndezur alarm në Bashkimin Evropian, duke ushqyer pasiguri dhe tension midis aleatëve të NATO-s.
Sipas raportimeve, shqetësimet nuk ndërlidhen vetëm me planet për të zhvendosur një pjesë të forcave amerikane drejt rajonit Indo-Paqësor, por edhe me një reduktim të mundshëm të ndihmës për Ukrainën.
Alarmi u ndez në kulmin e samitit të NATO-s, kur përpara darkës së hapjes, u mbajt një takim i papritur mes presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrit britanik Keir Starmer. Edhe pse kriza në Iran ishte temë kryesore e diskutimeve, pjesëmarrësit u përqendruan kryesisht te sinjalet shqetësuese që vinin nga Uashingtoni.
Sipas mediave të huaja sjellja e paparashikueshme e Trump po perceptohet si një kërcënim për stabilitetin dhe orientimin strategjik të udhëheqjes evropiane.
Në këtë kontekst, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për një rritje të ndjeshme të pavarësisë mbrojtëse të kontinentit.
“Deri në vitin 2030, duhet të jemi të pajisur me të gjitha mjetet për të ofruar një pengesë të besueshme. Nuk mund të qëndrojmë më në zonën tonë të rehatisë,” deklaroi ajo.
Ndërkohë, tensionet nuk mungojnë as brenda vetë BE-së. Kritikat janë përqendruar mbi Spanjën, e cila refuzon të rrisë buxhetin për mbrojtjen në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Nuk është e pranueshme të kërkohen përjashtime,” u shpreh kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen. Në të njëjtën linjë ishin edhe deklaratat e ministrit polak të Mbrojtjes, Kosiniak-Kamysz, dhe kryeministrit suedez, Ulf Kristersson.
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, theksoi se pa një siguri të brendshme solide, çdo përpjekje tjetër për zhvillim mbetet e pafrytshme.

