Rajon
BE për mikun serb të Putinit: Nuk i kontribuon besueshmërisë
“Pjesëmarrja e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, nuk kontribuon në besueshmërinë dhe gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të punojë me dikë si ai”- tha një zyrtar i Brukselit për REL.
“Natyrisht, shtetet anëtare të BE-së po e shikojnë kete veprimtari te Vulin, dhe kjo do të reflektohet në procesin e anëtarësimit dhe në marrëdhëniet bilaterale, si me të ashtu edhe me autoritetet serbe në përgjithësi” – deklaroi zyrtari i Unionit
I pyetur për të komentuar këtë vizitë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano kujtoi reagimin ndaj takimit të mbajtur më 23 maj, ndërmjet Milorad Dodik, president i Republikës Srpska, që është njëra prej entiteteve të Bosnjë e Hercegovinës dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Ai iu referua edhe deklaratës së kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili, pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, i tha Serbisë se “mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe është e dëmshme për interesin kombëtar të Serbisë”.