Politike
BE: Shqipëria ka vendosur themelet, por i mungon konsolidimi
Rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë në vitin 2025 pasqyrojnë një realitet kompleks të progresit të pjesshëm dhe mbetjes së një sërë sfidash, të cilat vijojnë të mbeten kyçe për hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave.
Grupkapitulli i parë – “Themeloret” – që përfshin fushat më kritike të shtetndërtimit, demokratizimit dhe funksionimit të institucioneve, mbetet busulla kryesore që përcakton ritmin e integrimit evropian të vendit.
Mirëpo raporti i fundit i progresit nga Bashkimi Evropian, pikas se shumica e rekomandimeve janë “pjesërisht të zbatuara”, ndërsa pothuaj të gjitha mbeten ende “të vlefshme”, çka do të thotë se kërkojnë punë të mëtejshme dhe rezultate të prekshme.
Termat “pjesërisht e zbatuar” dhe “mbetet kryesisht e vlefshme” tregojnë se reformat janë nisur, por ende nuk kanë sjellë standardet dhe efektshmërinë e kërkuar për një shtet që synon anëtarësimin.
Një nga pikat më të ndjeshme mbetet liria e shprehjes, e vetmja fushë e kategorizuar si “e pazbatuar”, teksa rekomandimet mbeten plotësisht të vlefshme.

Ky vlerësim nënvizon shqetësimet e Komisionit lidhur me presionet mbi median, kapacitetet e kufizuara të autoriteteve rregullatore dhe çështjet e pavarësisë editoriale, të cilat vijojnë të jenë problematike dhe të ndikojnë negativisht në cilësinë e demokracisë shqiptare.
Në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe funksionimit të ekonomisë së tregut, progresi cilësohet i pjesshëm ose i adresuar vetëm pjesërisht. Kjo tregon se pavarësisht reformave strukturore, efektet praktike, sidomos në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe konkurueshmërinë ekonomike, ende nuk kanë arritur nivelin e qëndrueshëm që kërkohet për hapjen e kapitujve të tjerë.
Funksionimi i ekonomisë së tregut mbetet një sfidë, pasi ekonomia shqiptare ende vuan nga informaliteti i lartë, mungesa e produktivitetit dhe varësia e madhe nga sektorë të brishtë.
Po ashtu, kapaciteti për t’u përballur me presionet konkurruese brenda tregut të përbashkët evropian është ende në fazë të ndërmjetme. Kjo nënkupton se për të qenë realisht pjesë e BE-së, Shqipëria duhet të forcojë strukturën industriale, të rrisë cilësinë e arsimit profesional dhe të nxisë më shumë investime, inovacion dhe aftësi konkurruese.
Në tërësi, raporti i vitit 2025 jep një sinjal të qartë se procesi i integrimit nuk ka ngecur, por as nuk ka shënuar përparimin e thellë që pritet nga një vend që synon hapjen e kapitujve të tjerë të negociatave.
Ndërsa reformat kanë qenë të dukshme dhe të vazhdueshme, Komisioni thekson se konsolidimi i tyre është vendimtar.
Për Shqipërinë, faza kuadrimi politik dhe institucional tashmë ka përfunduar; sfida e vërtetë mbetet zbatimi, qëndrueshmëria dhe prodhimi i rezultateve konkrete që prekin qytetarët dhe rikthejnë besimin e partnerëve evropianë.
Ky është një moment i rëndësishëm për të rivlerësuar prioritetet, për të rritur transparencën dhe për të ndërtuar institucione që i rezistojnë presioneve politike dhe korruptive.
Vetëm përmes një transformimi real dhe të qëndrueshëm, Shqipëria mund të përshpejtojë hapin drejt integrimit evropian dhe të dalë nga cikli i rekomandimeve që përsëriten vit pas viti.