Kosova
BE TREGON HUMNEREN/ Asociacioni, obligim ligjor i Kosovës, marrëveshja u ratifikua në Kuvend
Kosova, sipas shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, meqë ky mekanizëm, në vlerësimin e tij, është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.
“Mendoj se vetëm një marrëveshje është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicë dy të tretat e votive Dhe ky është një detyrim ligjor për ta bërë dhe për ta zbatuar” – deklaroi shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian.
Duke folur për të ardhmen e dialogut, Orav potencoi se dinamika e këtij procesi mbetet të shihet pas konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian.
“Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Brukseli dhe përfaqësuesi i ri i lartë duhet të vendosin se si të vazhdojnë kur komisioni i ri të vijë, dhe shpresojmë se do të ndodhë më 1 dhjetor, por mund të ndodhë edhe pak më vonë”, ka shtuar Orav
Orav ka njoftuar se Kosova dhe Serbia do të përfitojnë nga disbursimi i parë i fondeve nga Plani i Rritjes në fund të vitit, por para çdo pagese, do të bëhet vlerësimi i progresit në kuadër të dialogut.
“Për momentin mund të ndahen pagesat e para sepse edhe Kosova edhe Serbia kanë bërë një deklaratë në lidhje me procesin e normalizimit mes dy vendeve. Por më pas, para çdo pagese, do të bëhet vlerësimi nëse mund të ndahen këto mjete dhe kjo lidhet me procesin e normalizimit”, ka theksuar qartazi diplomati estonez i BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von der Leyen, ka përmendur aplikim të “kohës shtesë” në kontekstin e Planit të Rritjes për Kosovën dhe Serbinë. Kjo nënkupton se të dyja palët duhet t’i përmbushin obligimet që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit edhe pas lirimit të fondeve të para nga Plani i Rritjes.