Connect with us

Politike

Bejko takim me përfaqësues të biznesit në Tiranë

TIRANË– Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit, të cilëve u prezantoi programin e tij, nga ku premtoi më shumë mbështetje për këtë sektor nëse e votëbesojnë më 14 maj. Bejko tha se do të heqin taksën e infrastrukturës arsimore dhe sportive, si edhe do të përgjysmojnë e taksën e pastrimit për bizneset. Po ashtu, Bejko ka premtuar edhe përgjysim të të gjitha taksave vendore.

Kandidati për Tiranën, u ndal edhe në qeverisjen e Erion Veliajt, për të cilin tha se kanë mbytur me gjoba bizneset dhe tha se programi i tij parashikon një marrëdhënie më të mirë mes këtyre dy palëve. Bejko tha se Bashkia do të jetë në dispozicion për të trajnuar falas të punësuarit që merren me pagesat e taksave vendore të çdo biznesi në mënyrë të tillë që gjobat të mos jenë normalitet për bizneset

“Çfarë i duhet ekonomisë. Më pak gjoba, më pak presion nga ana e punonjësve të bashkisë dhe më shumë komunikim për të krijuar një lloj relaksi, për të kuptuar që bashkia dhe biznesi nuk janë armiq, nuk janë macja dhe miu, por janë partner. Bashkia që në do të drejtojmë, nëse qytetarët na japin besimin, Bashkia do të jetë në dispozicion për të trajnuar falas të punësuarit që merren me pagesat e taksave vendore të çdo biznesi në mënyrë të tillë që gjobat të mos jenë normalitet për bizneset, por raste përjashtimore. Qëllimi është jo ta ndjekim biznesin dhe ta gjobisim, por ta ndihmojmë që të mos gabojë. Nëse arrimë të krijojmë këtë lloj komunikimi edhe biznesi do ndihet më i relaksuar, do ketë më shumë besim dhe do kërkojë të bashkëpunojë me bashkinë.

Politikat tona dihen, nuk janë sekret, ne jemi për politika të tilla të zhvillimit me më pak taksa. Ne kemi menduar që të heqim taksën e infrastrukturës arsimore dhe sportive, përgjysmimin e taksës së pastrimit për bizneset, bashkia do të krijojmë lehtësi fiskale dhe do të provojë financiarisht të gjitha masat që do të merren nga bizneset që synojnë prodhimin dhe kursimin e energjisë duke përdorur panele diellore, instalime cilësore nëpër godina, përdorimi i mjeteve hibride dhe elektronike dhe të gjitha format smart working”, u shpreh Bejko.

Bejko premton më shumë mbështetje për fermerët vendas dhe për këtë do të ndërtohen 5 qendra polifunksionale në hyrje dhe dalje të Tiranës, në të cilat do iu jepet prioritet prodhimeve vendase. Këto qendra do të vendosen në Kamzë, Kashar, Vaqarri, Lundër dhe zona e Tufinë. Në këto qendra do të ketë edhe parking mbi dhe nëntokësor.

“Ne do të jemi të parimit që prodhimet vendase, sidomos që vijnë nga bashkia e Tiranës, të jenë prodhime që dominojnë tregun dhe për këtë do aplikojmë   politikat e konceptit të konsumit me kilometrin zero. Prodhimet vendase të fermerëve të bashkisë së Tiranës edhe banorëve të fshatrave do jenë ato që do marrin prioritet duke u krijuar lehtësira në treg. Do ngrihen 5 tregje publike në pesë pole multifunksionale. Do ndërtojmë 250 km rrugë rurale që i mungojnë kurorës së Tiranës, me qëllim që produktet familjare të fermave të dalin lehtësisht në tiranë dhe të aksesojnë në këto tregje që ne kemi menduar në këto pesë hyrje të qytetit. Bashkia do të ofrojë grante financiare për mbështetjen e aktiviteteve të biznesit të vogël e të mesëm, që veprojnë në fushat klasike dhe në ato inovative sipas mënyrës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi, duke garantuar akses të balancuar gjinor”, tha Bejko.

Bejko tha se do të krijohen tri zona të lira ekonomike në zonën e Krrabës, Arbanës dhe Ndroqit.

“Këto zona të lira ekonomike do të nxisin iniciativën e këtyre fermerëve. Bizneset që do punësojnë mbi 50 punëtorë do subvencionohen edhe nga ana e bashkisë që përshembull mund të marrë përsipër të paguajë sigurimet shoqërore me qëllim që biznesi të nxitet për të punësuar më shumë punëtor. Në zonat rurale do të nxitet turizmi malor, agroturizmi dhe kulinaria. Interaktiviteti mes zonës rurale dhe urbane do jetë miqësore dhe i aksesueshëm”, u shpreh Bejko.

Pikat për mbështetjen e biznesit

1- Përtej heqjes së taksës së infrastrukturës arsimore dhe përgjysmimit të taksës për pastrimin për bizneset, Bashkia do të krijojë lehtësira fiskale dhe do të promovojë financiarisht të gjitha masat që do të merren nga bizneset që synojnë prodhimin dhe kursimin e energjisë (panele diellore, instalime cilësore në godina, përdorimi i mjeteve hibride dhe elektrike etj…) dhe të gjitha format e smart ëorking.

2-Bashkia do të jetë në dispozicion për të trajnuar falas të punësuarit që merren me pagesat e taksave vendore të çdo biznesi në mënyrë të tillë që midis biznesit dhe administratës vendore të krijohet një partneritet miqësor dhe i sinqertë në mënyrë të tillë që gjobat mos të jenë normalitet për bizneset por raste përjashtimore.

3- Në Tiranë do të ngrihen dhe funksionojnë së paku 4 tregje publike të reja në të cilat do të promovohen produktet vendore tipike të shëndetshme dhe të sigurta. Biznesi i vogël, nëpërmjet veprimtarive nxitëse, të tilla si panaire e reklama në vende publike. Bashkia do te ofroje grante financiare për mbështetjen e aktiviteteve të biznesit të vogël e të mesëm, që veprojnë në fushat klasike dhe në ato inovative sipas mënyrës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi, duke garantuar akses të balancuar gjinor.

4-Tri zona të lira ekonomike në zonën e Krrabës, Arbanës dhe Ndroqit për fuqizimin e ekonomisë së Tiranës. Inicim Ligj i ri i posaçëm për Tiranën

Advertisement