Aktualitet
Beleri në burg, Ministri i Jashtëm i Greqisë: Kam informuar BE dhe KE për këtë çështje
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis, në fjalën e tij në Samitin e 7-të të Selanikut, ka kërkuar sërish betimin e Fredi Belerit.
Ministri grek ka thënë se Beleri po mbahet në burg dhe nuk lejohet që të betohet. Ai gjithashtu thotë se ka informuar homologët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian.
Në veçanti, a më lejoni t’i referohem çështjes së marrëdhënieve tona me Shqipërinë, duke iu referuar çështjes së ndalimit të përkohshëm të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, i cili ndodhet tashmë në këtë regjim që prej muajit maj,u arrestua dy ditë para zgjedhjeve dhe aktualisht ndodhet në burg. Me gjithë respektin për rendin e brendshëm juridik të Shqipërisë, ajo që kërkoi qeveria greke nuk ka të bëjë fare me pavarësinë e drejtësisë dhe as me procedurat e brendshme gjyqësore të vendit fqinj. Greqia kërkoi betimin e kryetarit të zgjedhur në atë mënyrë që vullneti politik i shprehur në zgjedhjet e majit të reflektohej në veprim politik. Nuk bëhet fjalë për veprim gjyqësor dhe as për ndonjë ndërhyrje nga jashtë. Ky është një akt administrativ, i cili duhet të zbatohet dhe është respektimi i duhur i të drejtave civile dhe shtetit të së drejtës. Unë personalisht kam marrë përsipër të informoj homologët e mi të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian. Dhe në shumë raste kam pasur rastin të flas me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare në nivelin më të lartë për të shprehur këtë qëndrim të qeverisë greke”, ka thënë ai.
Ndërkohë sot është shtyrë sërisht seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Shkak për shtyrjen kësaj here, është bërë mungesa e dëshmitarit Avdyl Rama, i cili është vëllai i dëshmitarit bashkëpunëtor Arsen Rama. Në seancë pati një moment tensioni mes prokurores Dorina Bejko dhe mbrojtjes. Beleri tha në Gjykatë se prokuroria nuk paraqiti asnjë provë qe dëshmitari bashkëpunëtor Arsen Rama të jetë i besueshëm.