Connect with us

Politike

Beleri shfaqet nga burgu për mediat greke: Doja t’u shërbeja grekëve të Vorio Epirit

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili është edhe kandidat për PE-në nga radhët e Demokracisë së Re të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis ka dhënë një intervistë nga burgu i Fierit për emisionin “Live News” të gazetarit Nikos Evangeliatos të televizionit grek “MEGA”.

Fredi Beleri ka deklaruar se do të heqë dorë nga Himara, teksa ka treguar jetën në burg, duke thënë se zgjohet me imazhin e Shën Marisë që i ka dhuruar kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Anastas, dhe me një foto të familjes së tij.

I pyetur mbi përzgjedhjen e tij si një nga 42 kandidatët e listës së Demokracisë së Re për zgjedhjet europiane, Beleri fillimisht falënderoi kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis e më pas tha se duke u zgjedhur eurodeputet nuk do e braktisë minoritetin, por do të ngrejë zërin për ta në Parlamentin Europian. Beleri deklaron se është i vendosur të luftojë për pafajësinë e tij dhe për Himarën.

“Zgjohem në mëngjes dhe shoh para meje imazhin e Shën Marisë. Për tridhjetë vjet që jam marrë me politikë, doja t’u shërbeja të drejtave të grekëve të Vorio Epirit. Ne nuk kemi të drejta, jemi larg asaj që ne e quajmë shteti i së drejtës dhe unë do të luftoj për to në Parlamentin Europian. Falenderoj kryeministrin grek që me këtë lëvizje për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane më jep mundësinë të mbështes Himarën nga një këndvështrim tjetër. Nuk po heq dorë nga Himara. Kur të jem i dënuar nuk do të kem të drejta politike në Shqipëri dhe ky ishte qëllimi i parë.”

Beleri theksoi se dënimi i formës së prerë ia mohon të drejtën për të ushtruar të drejtat politike në Shqipëri. Ai po ashtu pohon se të paktën deri në fund të shtatorit do të dalë nga qelia.

Nëse e shihni trukun në gjykata, ishte një rrugë njëkahëshe. Ata kanë shpikur një dëshmitar të cilin e kanë paguar. Ata kanë përdorur precedentë të rremë kriminalë. Gjyqtari që më gjykoi ka një dënim në Greqi dhe një ndalim hyrje për falsifikim. Gjithçka tregon se unë do të dënohem në Gjykatën e Apelit”, tha ai.

Pas intervistës me Belerin për emisionin grek është prononcuar edhe e bija e tij, Ermioni, e cila tha se babai i saj “po lufton për diçka që ia vlen”.

Babai im e dinte se me çfarë po merrej pak a shumë. Ai ishte plotësisht i përgatitur për një gjë të tillë. Jo se e priste, por kur ndodhi nuk u çudit. Ai ishte kokëfortë, tha se do t’i shkonte deri në fund. Ai po lufton për diçka që ia vlen. Jam rritur në Himarë, është një vend që të gjithë e duam. Ka racizëm dhe diskriminim, ne mund të shkojmë në një dyqan dhe të kërkojmë ujë dhe ata të na pyesin ‘pse flet greqisht?’”, u shpreh e bija e Belerit.

Advertisement