SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 27 të vitit 2025, për të pandehurin Qani Xhafa, aktualisht deputet i PD në Kuvend.

Xhafa akuzohet për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se më 11 mars 2023, Xhafa, duke drejtuar një automjet tip Toyota me targa AB 457 IJ, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga në Bulevardin “Qemal Stafa” në Elbasan.

Si pasojë e aksidentit, Xhafa ka goditur një shtyllë të ndriçimit rrugor, duke shkaktuar dëme të lehta materiale.

I pandehuri Xhafa është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë më 19 maj 2023.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.27 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se më 11 mars 2023, i pandehuri Qani Xhafa, aktualisht Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip Toyota me targa AB 457 IJ, në Bulevardin “Qemal Stafa”, Elbasan ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme të lehta materiale.

I pandehuri Qani Xhafa ushtron funksionin e Deputetit në Kuvendin e Shqipërisë prej datës 19 Maj 2023.