Politike
Berisha: FBI të hetojë Kim dhe aferat me pronat e saj në Shqipëri

Kryedemokrati Sali Berisha i është përgjigjur ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila e konsideroi të gabuar përfshirjen e tij në zgjedhjet lokale. Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha e quan ‘guvernatore’ ambasadoren dhe shton se deklarata e saj ishte një shërbim i fundit ndaj kryeministrit Edi Rama, para përfundimit të mandatit të saj. Berisha u ka bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI-së dhe Kongresit të SHBA-ve që të hetojnë aferat e Kim dhe pronat e saj në Shqipëri. Sipas kryedemokratit, PD nuk ka kandidatë ‘zjarri’, referuar deklaratës që ka bërë Kim, por emra të zgjedhur nga shqiptarë të lirë.
Postimi i Berishës:
Reagimi i Berishës erdhi pas një interviste të ambasadores Kim. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim kërkoi që në listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 14 majit, të ketë kandidatë të pastër dhe me integritet. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kim e konsideroi totalisht ta gabuar pjesëmarrjen e kryedemokratit Sali Berisha në këto zgjedhje. Duke theksuar faktin që ai është shpallur non-grata nga DASH, Kim e krahasoi Berishën me një zjarrvënës që premton të shuajë flakët dhe shtoi se përfshirja e tij është totalisht e gabuar.

