Politike
Berisha i prerë: Oligarkët e ramës do nxirren nga toka me çdo kusht

Pas Himarës Sali Berisha është ndalur në një takim edhe me banorët e Borshit, ku ka prezantuar programin e tij dhe ka kërkuar mbështetje për 11 majin.
Berisha tha se nëse fiton në 11 maj, infrastruktura e Borshit do ketë përparësi të plotë dhe se sipas tij 4-vjeçari që vjen do e çojë “pronën tek i zoti”.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Së pari ju falënderoj shumë për këtë pritje të paparashikuar. Natyrisht unë nuk mund të kaloja kurrsesi pa u ndalur në Borsh, pa u ndalur në këtë qendër të rëndësishme të njerëzve të punës, të njerëzve atdhetare, të njerëzve të zotë, të aftë.
Kjo është e disata herë që vij këtu. Kam ardhur si opozitar, si kryeministër dhe prapë do vij. Shpreh mirënjohje për të gjithë mbështetjen e borshiotëve në dekada ndaj PD dhe garantoj se problemet madhore me të cilat përballeni sot, siç është problemi i pronës, një problem shumë serioz, do jetë në krye të listës së përparësive tona për t’i dhënë përgjigje përfundimtare 4-vjeçarin që vjen.
Ne do kthejmë pronën tek i zoti, do i kompensojmë pronën të zotit me tokë ose me para. Ne evaduam 54 mijë dosje prone. Kanë evaduar 800 dosje në 12 vite.
Dhe u garantoj se po të vazhdonim me ato ritme, do u jepnim përgjigje përfundimtare sepse krijuam një fond prej 70 mijë hektarë tokë shtetërore në zona turistike, me të cilat ne do kompensonim pronarët dhe do kthenim ato që ishin.
Miliona metër katrorë nga ai fond janë marrë nga oligarkët, trafikantët e Edi Ramës, të cilët i kanë shtrirë tentakulat e tyre nga Kepi i Stillës në Velipojë. Kudo.
Në qoftë se e kujtohet kur erdhi në pushtet, Edi Rama filloi e po bërtet: Ka dalë një Gjon që nuk ka parë ndonjëherë det me sy dhe ka marrë 20 mijë hektarë tokë.
Dhe unë tani po shihja. Avash avash ata gjejnë se ishin familja e Gjon Boçarit, e kishin tokën e tyre.
Tani ai atë Gjonin nuk e përmend më se solli qindra të tjerë që janë shndërruar në pushtuesit më të egër, më të pamëshirë të pronave të bregut.
Kështu që 4-vjeçari që vjen në mënyrë absolute do çojë pronën tek i zoti. Do bëjë ligjin dhe drejtësinë dhe ky problem pas 4 vitesh nuk do ekzistojë më si trashëgimi.
Sikundër bizneset e Borshit, e të gjithë bregut do të kenë një aleat në Koalicionin e Shqipërisë Madhështore.
Tani, po ta shohësh Borshin ti, Qeparoin, Himarën, këto janë madhështore. Po të dalësh mbi Pilur, duket sikur ke hipur mbi re dhe po sheh deti. Këto janë madhështi.
Problemi është që të ngremë banorët në nivelin e kësaj madhështie. Dhe këtë do bëjë programi ynë. Bizneset e Borshit do t’u përgjysmohen taksat. Biznesi i vogël, tavanet e TVSH-së dhe tatim fitimit nga 100 dhe 140 mijë euro do të shkojnë në 180 mijë euro.
Bashkitë nuk do të mund të vendosin tarifa dhe taksa më shumë se 1 përqind të xhiros.
Energjia do të ulet në 6 lekë. Uji do përgjysmohet tarifa. Pra do krijojmë një hapësirë të re për biznesin. Fermerëve do u subvencionojmë çdo njësi prodhimi, çdo fidan të mbjellë dhe çdo kokë bagëti.
Heqim çdo lloj kriteri tjetër, jo ka pesë lopë, jo ka dhjetë lopë, një lopë po të ketë, do subvencionohet. Tre ulli po të ketë, do subvencionohet. Do rrisim subvencionet në nivelet e vendeve përreth. Vendet përreth e kanë nivelin e subvencioneve 5-6 herë më të madh se në.
Edi Rama kur ndau buxhetin, la për fermerët 33 milionë euro në 8 miliardë, në një kohë kur duhej të linte minimumi 230 milionë. Pra, merr fund kjo situatë. Infrastruktura e Borshit do ketë përparësi të plotë. Unë e njoh problemin dhe u them se do zgjidhet 100 përqind.
Unë ua thashë në Himarë, ua them edhe këtu. Unë nuk ndërtojë tunelin e Llogarasë pa u dhënë përgjigje problemit të ujërave të zeza nga Semani te Kepi i Stillës. Pasi të ngrinim flamurin blu në ujërat tona, atëherë do vazhdonim me të tjera sepse ai kusht themelor për të qenë në Europë, nuk është tuneli.
Kusht themelor për të qenë në Europë është që të mos derdhen ujërat e zeza aty ku lahen njerëzit.
Kusht themelor për të qenë në Europë që 24 orë të kenë vaditjen, të kenë kullimin, të kenë mbrojtjen e tokës, të kenë suksesin e biznesit. Pra, këto janë kushtet për të cilat ne qëndrojmë.

