Connect with us

Aktualitet

Berisha kërkon lirinë në Apel, gjyqtarja që liroi Malltezin shtyn për sot shpalljen e vendimit

Gjyqtarja e Apelit të GJKKO-së Ilirjana Olldashi vendos sot dhënien e vendimit për masën e sigurisë së Sali Berishës.

Seanca e djeshme zgjati rreth 3 orë dhe avokatët e prokurorët parashtruan argumentet e tyre pro dhe kundër ndryshimit të masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ vendosur më 30 dhjetor 2023.

Avokatët mbrojtës e quajnë të paligjshëm vendosjen e masës së sigurisë arrest shtëpie ndërsa prokurorët i kanë kërkuar gjykatës mospranimin e kërkesës.

Avokati i Berishës Genc Gjokutaj në dalje të seancës dha dhe detaje nga ajo çfarë kishte ndodhur pas dyerve të mbyllura në Apel.

“Ne folëm 2 orë e gjysmë ata kontestuan për 5 minuta. Prokurorët i qëndruan kërkesës së tyre! Dje thoshin nuk paraqitet (Sqarim: Për Sali Berishën), sot vepra penale e rëndë. Vendimi për të mos administruar sot dosjen për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka është shkelje e rëndë e Gjykatës së Apelit çka përbën përgjegjësi të madhe për gjykatësen, sepse çështja nuk mund të shqyrtohet me objektivitet nëse nuk administrohen të gjitha provat faktet dhe vendimet të cilat kanë lidhje me vendimin e shkallës së parë, tha Gjokutaj

Pasi ka dëgjuar pretendimet e avokatëve, si edhe prokurorët që thonë se Berisha duhet të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpie, Olldashi ka vendosur që vendimin ta shpallë ditën e nesërme në orën 09:00.

Kujtojmë, që dje, për herë të parë Sali Berisha u mor në pyetje nga SPAK për aferën Partizani, ndërsa sulmoi ashpër prokurorët në fjalën për mediat. Ndërsa nesër do të merret në pyetje për aferën Partizani, edhe dhëndri Jamarbër Malltezi.

Berisha ka ankimuar masën arrest shtëpie për aferën ‘Partizani’, si edhe përjashtimin e Irena Gjokës nga çështja e tij, gjyqtares që ka caktuar masën e sigurimit personal ndaj ish-kryeministrit.

‘Liria’ e Berishës është në dorën e gjyqtares Olldashi, e cila liroi nga qelia dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Në një shkrim investigativ, Report Tv zbuloi se gjyqtarja Olldashi është në konflikt interesi pasi në vitin 2015 ka blerë apartament me çmim preferencial 712 euro m² në një nga 19 kullat e kompanisë në hetim “Homeplan” ku aksioner është edhe Malltezi, të cilin më herët e liroi nga paraburgimi dhe e çoi në shtëpi.

Konflikti i interesit është pranuar edhe nga SPAK i cili ka bërë rekurs në gjykatë të lartë kundër masës “arrest shtëpie” duke kërkuar kthimin në qeli të Malltezit, i cili akuzohet se ka përfituar 5.4 mln euro nga ndërtimi i kullave.

Advertisement