Politike
Berisha mbron Veliajn: Statuset kundër prokurorëve nuk i ka bërë ai

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën e mbajtur për mediat i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt i cili prej muajsh ndodhet në paraburgimin e Durrësit. Berisha i ka dalë në krah duke e krahasuar edhe me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën, duke i bërë një kërkesë edhe avokates së Popullit.
I pyetur nga ZËRI përse erdhi ky ndryshim qëndrimi në lidhje me Veliajn dhe a duhet të hetohet për akuza të tjera, Berisha deklaroi se nuk ka ndryshuar mendimin se kryebashkiaku është fajtor, por sipas tij edhe ai gëzon të drejta themelore. Berisha hedh akuza se statuset e bëra në rrjet kundër prokurorëve nuk janë bërë nga Veliaj, por nga Edi Rama. Kreu i PD-së deklaron se Veliajt i dërgohen edhe dokumente të tjera nga dosja për ta intimiduar dhe duhet një hetim.
Pyetja- Deri dje, ju shpreheshit se SPAK po e amnistonte Veliaj, duke theksuar se ai duhej hetuar për akuza më të rënda. Ndërkohë, pas komunikimit zyrtar të akuzës ndaj tij, ju u shprehët të shqetësuar për kushtet e tij në burg. Duke rënë dakord se çdo i burgosur duhet të trajtohet me dinjitet dhe sipas ligjit, mendoni ende se Veliaj duhet të hetohet për akuza të tjera, përtej atyre që i është komunikuar?
Sali Berisha: Mendoj se Erion Veliaj është përgjegjës dhe fajtor për Edi Ramën për vjedhjen e shekullit, por Altin Troplini nuk guxon ta hetojë për shkak të Edi Ramës. Mendoj se afera monstruoze e 5D e bën Erion Veliajn shumë herë më fajtor sesa këto që kemi dëgjuar deri më sot, por nuk hetohet, sepse është thënë se te hoteli 20-katësh është bashkëpronar edhe Olsi Rama. Fakti që Veliaj nuk hetohet për këto, por hetohet për çështjet që dihen… Po dal te qëndrimi im. Erion Veliaj, theksova dje, është i burgosur ordiner. Por i burgosuri i çdo karakteri ka një set të drejtash, detyrimesh në minimum, të cilat duhet t’i respektohen. Unë e dënoj me forcën më të madhe – se duhet ta dinë shqiptarët – pas Ramës, Veliaj është autori më i madh i ligësive ndaj opozitës. Por ne nuk duhet të bëhemi si ata – qëndrojmë me liritë dhe të drejtat themelore. Nëse ti e arreston tjetrin, person nën hetim, dhe bën ato akte kafkiane, ti shkel çdo lloj kodi. Nuk mund t’i shkelësh, sepse je anëtar i KE. Ke firmosur të gjitha konventat kundër torturave, ke firmosur Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe nëse ti i sajon – siç thuhet – statuse në Facebook të pashkruara nga ai, vetëm për t’i nxitur prokurorët në rrafsh personal kundër tij, atëherë ti ke kryer një krim. Përveç kësaj, të dhëna të tjera tregojnë se atë e kanë privuar nga të drejtat ligjore që i takojnë. Altin Troplini do të hyjë në histori. Mos shihni ju se sot për sot e lavdërojnë – ai do të hyjë në histori si një nga prokurorët më kriminalë, i barabartë me ata të Enver Hoxhës. Shiko ç’mërkënar kemi. E njëjta gjë bëhet edhe me Ilir Metën, se komunikoi me një gazetar – dënim 10 ditë pa asnjë komunikim. E njëjta gjë bëhet edhe me Erion Veliajn. Nuk i krahasoj kurrë – Meta është i burgosur politik – sikundër janë dy statuset në Facebook, të atribuara atij, ku ai sulmon njërin prokuror, pavarësisht se autor kryesor është Altin Troplini. Dy firma janë: Altin Troplini dhe Olsi Dado. Edi Ramës i duhej në këtë formë. Më pas, avokatët kanë dëshmuar se statuset nuk janë shkruar nga Veliaj, por ngjajnë shumë me ato të Edi Ramës, që i bënte në emër të Bledi Manes.
Për ta mbyllur: çfarë kërkoj unë? Kërkoj që Avokatja e Popullit t’i hetojë këto, sepse as njera dhe as tjetra nuk mund të bëhen – as statuset dhe as komunikimi. Thuhet se i dërgohen edhe dokumente të tjera nga dosja për ta intimiduar. Avokatja duhet ta hetojë këtë situatë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. Ndërkohë, ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara.

