Politike
‘Berisha me gjak në fytyrë’/ Reuters shkruan për dhunimin
TIRANË- Mediat e huaja kanë pasqyruar dhunën e ushtruar ndaj kryedemokratit Sali Berisha në protestën e opozitës. ‘Reuters’ i ka kushtuar një artikull dhunës së Berishës. Ata shkruajnë se Berisha ishte duke protestuar kundër Qeverisë Rama, në momentin që u dhunua nga një person i rastësishëm.
SHKRIMI i ‘Reuters‘.
Udhëheqësi i opozitës shqiptare Sali Berisha u godit me grusht në fytyrë nga një kalimtar i rastësishëm mashkull, ndërsa ai drejtonte një turmë mbështetësish të partisë së tij në qendër të Tiranës për protestat antiqeveritare që po zhvillohen disa metra larg vendit të një samiti të BE-së.
Mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën në qytet të martën, ndërsa Shqipëria pret samitin e parë BE-Ballkan, ku marrin pjesë krerët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Ndërsa Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike të qendrës së djathtë, ecte përpara mbështetësve të tij duke valëvitur flamujt shqiptarë dhe të BE-së, një burrë iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë. Berisha kishte gjak në fytyrë, por më vonë duhej të fliste në tubim. Sulmuesi është rrahur nga mbështetësit e Berishës dhe është arrestuar nga policia. Berisha, një ish-president dhe kryeministër, është i ndaluar të hyjë në Shtetet e Bashkuara për korrupsion të dyshuar. Ai i mohon akuzat.