Aktualitet
‘Berisha na vrau 4 vëllezërit’/ 12 orë dëshmi në SPAK
Aishe Haklaj, motra e madhe e familjes Haklaj, ka ardhur nga Suedia dhe është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. • Nga ora 8 e mëngjesit (pa e ditur askush), Aishe Haklaj u pa në dyert e SPAK për të sjellë dosjen në emër të motrës dhe të atit të saj, Zylfije dhe Muharrem Haklaj, të cilët akuzojnë ish-kryeministrin Sali Berisha për vrasjen e 4 vëllezërve të saj, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj. • Sot, ajo është marrë në pyetje nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorja tjetër, Elida Kaçkini. • Përveç Sali Berishës janë paditur edhe 15 persona të tjerë, që akuzohen si banda e armatosur dhe një organizatë kriminale që kishin për qëllim hakmarrjen ndaj fisit Haklaj dhe personave të tjerë në Tropojë. • Bashkë me Berishën, të paditur gjithashtu janë edhe: Haki Hoxha, Përparim Hyka, Myftar Lumneshi, Hajredin Haluci, Tahir Sejd Hoxha, Iljaz Hoxha, Ilir Hoxha, Selim Hoxha, Agim Hoxha, Cut Neza, Sadri Neza, Xhafer Hoxha, Medi Hoxha, Guxim Byberi. • Tashmë nga familja, Hamdi Haklaj, i madhi i familjes është i vetmi vëlla që ka mbijetuar, bashkë me 2 motrat dhe fëmijët e 4 vëllezërve të tyre. • E gjithë familja, ka nisur një jetë të re në Suedi, ku kanë fituar azil politik bashkë me të atin e tyre, Muharremin. • Që prej largimit, që raportohet se ka ndodhur në vitin 2006, deri më sot, asnjë prej anëtarëve të familjes nuk është rikthyer në Shqipëri. • Madje dhe Aishe Haklaj u nis sot sërish për në Suedi me urgjencë, e shoqëruar nga Policia e Shtetit.
“Tepër sekret!”/ Zbulohet DOSJA që Zylfije dhe Muharrem Haklaj dorëzuan në SPAK, akuza ndaj Berishës dhe 15 të tjerëve
TIRANË– Zbardhen detaje të reja lidhur me padinë e bërë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër ish-kryeministrit Sali Berisha. Edhe pse sot për 12 orë u mor në pyetje Aishe Haklaj, kallëzuesit janë babë e bijë; Muharrem dhe Zylfije Haklaj. Të dy, kanë paditur jo vetëm Berishën, por edhe shumë personazhë të tjerë për vrasjen e 4 djemve të familjes: Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj.
Përveç Sali Berishës janë paditur edhe 15 persona të tjerë, që akuzohen si banda e armatosur dhe një organizatë kriminale që drejtoheshin dhe vinin në zbatim urdhrat e ish-kryeministrit për të marrë hak për të.. Më konkretisht sipas padisë, pjesëtarë të këti grupi kriminal ishin: Haki Hoxha, Përparim Hyka, Myftar Lumneshi (vëllai i tij është vrarë nga Zylfie Haklaj), Hajredin Haluci, Tahir Sejd Hoxha, Iljaz Hoxha, Ilir Hoxha, Selim Hoxha, Agim Hoxha, Cut Neza, Sadri Neza, Xhafer Hoxha, Medi Hoxha, Guxim Byberi. Në plot 18 faqe, është sqaruar se çfarë pretendohet për secilin prej tyre, duke sjellë në kronologji të gjitha ngjarjet e ndodhur në Tropojë pas viteve ’90 që sollën episode vrasjesh të njëpasnjëshme mes të rinjve të zonës. E po ashtu, një detaj tjetër që bie në sy në padi, është termi: Tepër sekret!
Për rëndësinë e çështjes, sot është marrë në pyetje Aishe Haklaj, motra e madhe e familjes, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes kanë kërkuar që të pyeten gjatë një lidhje direkte. Kjo për shkak se pretendojnë se u rrezikohet jeta në Shqipëri, ndërsa Zylfie Hakaj ka një urdhër-arresti për të për vrasjen e Rasim Lumneshit; ndërsa i ati i tyre është në moshë të thyer. Me dosjen u mor personalisht kreu i SPAK, Altin Dumani që është edhe prokuror i kësaj çështjeje dhe prokurorja tjetër, Elida Kaçkini.
Aishe Haklaj, dëshmoi sot lidhur me denoncimin që ka bërë në SPAK në korrik të 2021, ku akuzon kreun e PD-së, Sali Berisha për vrasjen e 4 vëllezërve të saj, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj. Kjo është hera e parë që Aishe Haklaj merret në pyetje në cilësinë e kallëzues për këtë padi.
12 orë u mor në pyetje! Aishe Haklaj s’kthehet në Tropojë, kthehet me urgjencë për në Suedi, shoqërohet nga Policia
2 orë, nga ora 8 e mëngjesit deri në 20.00 të mbrëmjes, Aishe Haklaj është marrë në pyetje nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo pasi babai dhe motra e saj, Muharrem dhe Zylfie Haklaj kanë kallëzuar penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha për vrasjen e 4 djemëve të familjes.
Aishe Haklaj përfundoi dëshminë e saj në SPAK pas rreth 12 orësh për kallëzimin e bërë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 14 personave të tjerë, që i akuzon për vrasjen e 4 vëllezërve të saj. E i vetmi moment që ka dalë jashtë ka qenë për të marrë telefonin e saj, pasi pretendonte se në të kishte prova për t’ja paraqitur hetuesëve të SPAK. Provat janë dorëzuar dhe për secilën prej tyre është mbajtur procesverbal.
Pasi ka përfunduar marrjen në pyetje, Haklaj ka shkëmbyer disa fjalë me avokatin e saj Idajet Beqirin në oborrin e SPAK dhe më pas është futur në një makinë, me shumë gjasa e avokatit e ndjekur nga dy efektivë të Forcave Operacionale dhe një makinë Policisë. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se ajo do të kthehet menjëherë në Suedi, ku jeton prej vitesh me anëtarët e mbetur të familjes. Ajo është e vetmja anëtare e familjes që me shumë gjasa do ta japë dëshminë në SPAK, pasi deri më tani anëtarët e tjerë të familjes kanë kërkuar që të pyeten gjatë një lidhje direkte. Kjo për shkak se pretendojnë se u rrezikohet jeta në Shqipëri, ndërsa Zylfie Hakaj ka një urdhër-arresti për të për vrasjen e Rasim Lumneshit. Kjo vrasje e ka vendosur atë në listën e të shumëkërkuarve të Policisë së Shtetit.
12 orë dëshmi, ç’tha Aishe Haklaj para gazetarëve: Kemi ende besim te SPAK&GJKKO! S’kam dijeni për dhunimin e varreve
TIRANË– Për 12 orë resht, Aishe Haklaj ka dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pasi ka dalë nga ambientet e SPAK, Aishe Haklaj nuk dha detaje para kamerave dhe gazetarëve, duke u shprehur se ishte e lodhur nga marrja në pyetje. Megjithatë për më shumë detaje, njoftoi se do të informoheshim nga avokati i familjes, Idajet Beqiri. Po ashtu, u shpreh se nuk kishte asnjë dijeni se kush mund të kishte dhunuar varret e 4 vëllezërve të saj në Tropojë.
Ju si media e keni kryer detyrën tuaj, tani besimi ynë është ende tek SPAK dhe tek Gjykata e Posaçme. Nuk mund të them më shumë sepse edhe sekretet edhe gjithçka është që duhet të ruhet. Ne kemi njeriun e besuar të familjes, avokatin. Ndoshta ai do të tregojë diçka dhe do të japë më shumë sqarime. Prova të reja? Iu falenderoj, jam jashtë mase e lodhur. Nuk e di a do pyeten pjesëtarë të tjerë të familjes. Mediat janë shumë të respektuara nga familja jonë,”-tha ndër të tjera Aishe Haklaj.
Dhunimi i varrit të Haklajve, Policia: Janë dëmtuar pllakat e tre varreze publike në Tropojë, po punojmë për kapjen e autorëve
TROPOJË– Jo vetëm varri i Fatmir Haklajt është dhunuar. Policia e Tropojës, sqaroi ditën e sotme, se disa persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar pllakat e tre varreze në varrezat publike në qytet. Tashmë ka nisur puna për të zbuluar se kush janë autorët e për t’i vënë përballë drejtësisë. Pas kapjes, autorët do të hetohen për veprën penale “Dhunimi i varreve”.
‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Dhunimi i varreve”, dhe po vijojnë intensivisht punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, pasi: Shtetas ende të paidentifikuar kanë dëmtuar pllakat e 3 varreve në varrezat publike të qytetit të Tropojës’– njofton Policia.
Ky sqarim vjen vetëm një ditë pasi u bë e ditur se ishin dhunuar disa varre në Tropojë, e në mesin e tyre ishte ai i Fatmir Haklajt. Zylfije Haklaj, motra e vëllezërve Haklaj ishte ajo e cila denoncoi se varri i Fatmirit ishte shkatërruar. Në një postim te llogaria “Haklajt e Tropojës” që menaxhohet prej saj, ajo shkruan se edhe të vdekur, vëllezërve të saj ua kanë frikën.
“Ju po ngelshi tanë kohën në Kodër të varrezave tona se edhe të vdekur jau keni frikën a mos po çohen. Na e kena ditë që do t’i prishni dhe me qellim i kena punue me ditë të saktë kushë merret me këto punë. Hajrin ja pafshi punës”, shkruan ajo.
Aishe Haklaj shkon në SPAK, avokati: Pyetet për vrasjen e vëllezërve, ardhja e saj duhet të ishte e fshehtë
TIRANË– Aishe Haklaj, motra e madhe e vëllezërve Haklaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(SPAK). Dosja.al mëson se prej më shumë se një ore, Aishe Haklakj po merret në pyetje nga prokurorët. Mësohet se ka qenë SPAK që i ka dërguar fletëthirrje motrës së Haklajve për ta marrë në pyetje. Arsyeja e thirrjes nga organi i akuzës nuk dihet ende.
Avokati i Aishe Haklajt, Idajet Beqiri, i ftuar në Euronews Albania tha se marrja në pyetje ishte diçka që pritej duke qenë që nga momenti që SPAK mori në shqyrtim çështjen e vrasjes së vëllezërve Haklaj. Ai shtoi se bëhet fjalë për një kallëzim penal të bërë më parë për vrasjen e vëllezërve Haklaj, për një grup të organizuar terrorist e për akte terroriste. Sipas Beqirit, dalja e saj para SPAK do duhej të ishte e fshehtë.
“Bëhet fjalë për një kallëzim penal që kemi bërë më parë për vrasjen e vëllezërve Haklaj, për një grup të organizuar terrorist, për akte terroriste dhe vrasjen e vëllezërve. SPAK ka kohë që punon me këtë çështje, ka nisur hetimet, ka marrë provat për shqyrtim dhe ka marrë edhe 4 dosje që kanë qenë të pezulluara në Tropojë. SPAK e ka të domosdoshme të marrë edhe dëshminë e dëshmitarëve okular dhe njëra prej tyre është motra e Haklajve, Aishja e cila jeton prej kohësh në Suedi. Unë nuk e di nga e morën vesh mediat, se ardhja dhe ikja e saj duhet të ishte e fshehtë. Asnjë sekret nuk ka, por ajo ilegale ka ardhur ilegale do iki pasi ka ardhur në SPAK, ajo kishte kohë që pritej. Kemi kohë që bashkëpunojmë me SPAK për ardhjen e saj. Dëshmitë janë tepër të rëndësishme për këtë çështje të rëndësishme. Ajo është futur në SPAK që në orën 8 e 30 dhe pritet të rri edhe ca”,-tha avokati.
Familja Haklaj paralelisht ka vuajtur një sulm së fundmi, pasi është dhunuar varri i Fatmir Haklajt. Për këtë ngjarje, policia reagoi dhe deklaroi se kanë nisur hetimet.